Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se zgjidhja e çështjeve të hapura me shqiptarët duhet të jetë prioritet i politikës shtetërore të Serbisë.
Ai thotë se politika zyrtare serbe ka një listë më ndryshe të prioriteteve dhe “mendoj se për politikën serbe më me rëndësi është raporti me kroatët e boshnjakët sesa raporti me shqiptarët”.
“Unë mendoj se prioriteti ynë duhet të jetë çështja e hapur me shqiptarët dhe mendoj se kësaj çështjeje duhet t’i kushtohet vëmendje shumë e madhe”, ka thënë Ivanoviq, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se potenciali për telashe dhe përleshje më i madhi është në raportin shqiptarë – serbë dhe se në këtë raport ka më së shumti mosmarrëveshje.
Sipas fjalëve të tij, rruga për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje është anëtarësimi [i Serbisë] në BE si çështje strategjike, dhe e dyta, vendosja e marrëdhënieve me shqiptarët përmes Tiranës, që, siç thotë ai, është politikisht korrekte dhe praktikisht do të jap rezultate.
“Që të mos keqkuptohem, nuk mendoj se ndikimi i Tiranës tek shqiptarët e Kosovës është aq i madh – ata më shumë janë vetëm, por kjo është një rrugë pak më e lehtë. Dikush nga Beogradi që është i pranuar mirë në Tiranë dhe në Prishtinë, do të hapte lehtësisht derën”, ka thënë Ivanoviq, raporton Tanjug.
I pyetur nëse Serbia ka gabuar diku në raport me shqiptarët në histori, ai thotë se “i kemi nënçmuar”.
“I kemi vlerësuar gabimisht, e më pas i kemi nënvlerësuar. Ata janë popull mjaft tradicional dhe mjaft konservatorë, dhe si të tillë nuk mund të krahasohen me popujt tjerë dhe, në përputhje me rrethanat, raporti me ta nuk mund të ndërtohet mbi përvojat që i kemi pasur gjatë ndërtimit të raporteve me të tjerët. Por duhet të përshtatemi dhe duhet të gjejmë një çelës për komunikim”, ka deklaruar Ivanoviq.
Sipas fjalëve të tij, pengesë janë edhe stereotipat për shqiptarët të cilat, sipas tij, në thelb nuk i njohim.
“Nuk dimë asgjë për historinë, kulturën e zakonet e tyre dhe u qëndrojmë stereotipave, pavarësisht pasojave. Është e vështirë që në ambiente të gabuara të merren vendime të duhura. Unë jam për analizimin e tyre dhe t’i njohim mirë sepse në të ardhmen do t’i kemi bashkëbisedues, jodomosdoshmërisht edhe kundërshtar”, ka shtuar Ivanoviq.
I pyetur nëse Kosova sërish do të jetë pjesë e Serbisë, ai ka thënë se “Kosova nuk do të ndalojë së qeni pjesë e Serbisë dhe do t’i duhet edhe njëherë të ulet dhe të bisedohet seriozisht për statusin e Kosovës”.
“Kjo do të ndodh në atë moment kur Serbia të jetë në dyert e BE-së dhe negociatat, sipas mendimit tij, do të shkojnë sipas modelit të Qipros”, mendon Ivanoviq.
Sipas tij, shqiptarët dhe serbët mund t’i bashkojë vetëm interesi i përbashkët, dhe ky interes është jeta më e mirë.