Sot, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi mori pjesë në “Lansimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë
Në fjalimin e tij para të pranishmëve Kryeprokurori i Shtetit Lumezi tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta themelore, të garantuara me Kushtetutë, me ligjet e Republikës së Kosovës, me konventat ndërkombëtare, dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti.
“Ashtu siç jeni në dijeni, legjislacioni i Kosovës parasheh një skemë të kompensimit të viktimave nga shteti, të cilat janë të rregulluara me Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit si dhe me Ligjin për Kompensimin e viktimave të Krimit. Qeveria e Kosovës në Janar të vitit 2017 ka aprovuar dy akte nënligjore të rëndësishme me të cilat është kompletuar legjislacioni i nevojshëm dhe rrjedhimisht konsiderojmë se mund të fillohet me procesin e kompensimit të viktimave të krimit”, ka thënë Lumezi.
Në procesin e hartimit të këtij legjislacioni ka kontribuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, më konkretisht, në hartimin e Ligjit për kompensim të viktimave të Krimit, hartimin e Rregullores për komisionin për kompensimin e viktimave si dhe me caktimin e një anëtari në Komisionin për kompensimin e viktimave nga radhët e Prokurorëve të shtetit
Vlen të theksohet fakti se Qeveria e Kosovës për këtë vit si fillim ka ndarë mjete buxhetore në shumën prej 100.000 eurove për kompensimin e viktimave të krimit dhe kjo është një tregues i mirë i përkushtimit për të rregulluar ketë çështje.
“Mbesim me shpresë se edhe institucionet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorët e shtetit, gjyqtarët por edhe Agjencioni për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, gjatë periudhës së ardhshme do të jenë më efikas në identifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Pasuria e konfiskuar duhet t’i kthehet shtetit por edhe të dëmtuarve duke i shitur asetet e konfiskuara dhe kompensuar viktimat e krimit. Dua t’ju siguroj se institucioni i Prokurorit të Shtetit ka gatishmëri dhe përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe është duke i dhënë prioritet të veçantë këtyre rasteve, përmes Zyrës për mbrojtje dhe ndihmën e viktimave, të cilët janë të vendosura në shtatë zyre regjionale të prokurorive themelore, në të cilat kemi caktuar edhe prokurorët përgjegjës që do të merren me trajtimin e kësaj kategorie të ndjeshme të viktimave”, ka shtuar Lumezi.
© KOHA.