Hoti në Prishtinë: Në qeverisjen tonë do të ndryshojë gjendja e shëndetësisë

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti të hënën pasdite mbajti një tryezë – bashkëbisedim me të rinjtë e Prishtinës, me ç’rast ka thënë se lista e këtij koalicioni do të jetë fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ai ka theksuar se janë tri shtylla kryesore për qeverisjen e këtij koalicioni, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi në BE.

“Ju rinia jeni brezi i dr. Ibrahim Rugova. Ju do të keni lehtësira për arsim dhe pres nga ju që pas katër viteve të jeni ministra. Ne jemi koalicion i shpresës dhe vetëm ne do ta kthejmë shpresën të rinjve sikur që ka qenë Rugova për të rinjtë. Në qeverisjen tonë do ta ndryshojmë gjendjen e shëndetësisë dhe më 12 qershor ne do të fillojmë ta implementojmë programin qeverisës si fitues i zgjedhjeve”, theksoi Hoti, raporton KP.

Ai ka premtuar se në qeverisjen e LDK-së do të ndryshohet gjendja e shëndetësisë.

Ndërsa, Ilir Deda nga Alternativa, ka theksuar se vetëm koalicioni LDK-AKR-Alternativa paraqet zgjidhje për vendin.

“Do të punojmë që asnjë i ri të mos shkojë jashtë. Mos u mashtroni, nuk ka ekip më të mirë se ajo që udhëhiqet nga Avdullah Hoti. Programi ynë është më i miri”, ka thënë Deda.

Nga ana e tij, Lumir Abdixhiku, i cili kohë më parë aderoi në LDK, ka thënë se në këtë parti ka njerëz që punojnë 24 orë.

“Kam gjetur njerëz që më kanë hapur derën si Kujtim Shala, Vjosa Osmani dhe kryeministri i ardhshëm Avdullah Hoti”, ka thënë ai.

Fidan Rekaliu nga Forumi Rinor i LDK-së tha se rinia e këtij subjekti ka besimin e plotë se Avdullah Hoti do të punojë për të ardhmen e këtij vendi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme