Hudhra është një prej produkteve më të pasura me vitamina, karbohidrate dhe vitaminë C. Hudhra e thatë përmban rreth 58 për qind insulinë. Një kilogram hudhër jep 1300 kalori. Ajo është e pasur në kripëra të kalciumit, jodit e squfurit. Gjithashtu, përdorimi i hudhrës ka vlera të pakrahasueshme në uljen e kolesterinës në gjak.
Nga studimet e bëra në SHBA, ku u eksperimentuan 45 burra, që kishin vlerë të lartë të kolesterinës dhe që përdorën çdo ditë 6 thelpinj hudhre, u arrit në përfundimin se vlera e yndyrës në gjak u ul me 58 për qind.
Lëngu i hudhrës jep një ndihmesë të madhe edhe në rikthimin e flokut të humbur. Pasi bëhet shtypja e mirë e hudhrës, me lëngun e përftuar bëhet masazh rreth 3 minuta në vendin ku ka rënë floku. Floku mbahet ashtu për 30 minuta dhe më pas koka lahet mirë, derisa të largohet era e rëndë e hudhrës. Ky veprim bëhet një herë në javë deri në shfaqjen e rezultateve pozitive.
Një tjetër studim ka treguar se njerëzit që hanë hudhër çdo ditë, mund të jetojnë më gjatë.
Studimi është bërë nga dietologë holandezë dhe tregon se këta njerëz mund të jetojnë 6 vjet më shumë se të tjerët që s’e konsumojnë këtë produkt. Vlerat e hudhrës gjenden si në përdorimin e saj të njomë, ashtu edhe të thatë. Efektet e saj janë të mrekullueshme, veçse duhet pasur një kujdes i jashtëzakonshëm. Përdorimi i saj në mënyrë të gabuar dëmton rëndë shëndetin e personit të sëmurë. Vetitë e saj kuruese janë edhe më praktike, duke pasur parasysh se kjo bimë rritet gjerësisht dhe gjendet lehtë. Vlerat e hudhrës gjenden si në përdorimin e saj të njomë, ashtu edhe kur ajo përdoret e thatë. Nëse përdoret në gatim, këshillohet që mos të skuqet shumë, pasi i humbet vlerat e saj. Gjatë skuqjes ajo humbet me shijen e vajit.
Efektet kuruese të hudhrës
Për ata që vuajnë nga hipertensioni, do t’u mjaftonte të hanin një thelb hudhre dhe shumë shpejt do ta ndiejnë sërish mirë veten. Por nuk rekomandohet që hudhra të përdoret nga njerëz që e kanë tensionin e ulët, pasi do të keqësonin shëndetin e tyre. Ajo ndihmon edhe në qarkullimin në mënyrë të rregullt të gjakut. Mjekët rekomandojnë 2 thelpinj hudhre në ditë.
Efekte pozitive ka dhënë përdorimi i hudhrës edhe në parandalimin e kancerit në stomak dhe në zorrën e trashë.
Kanceri në zorrën e trashë është i përhapur te meshkujt dhe është vërtetuar se ata që kanë përdorur hudhra kanë pasur më pak mundësi për t’u prekur nga sëmundja.
Këshillohet që çdo ditë të hahen 3 deri në 10 thelpinj hudhre. Për shkak të vetive të saj dezinfektuese, hudhra ka dhënë rezultate të shkëlqyera te të sëmurët që vuajnë nga dhimbja e veshëve.
Për këta njerëz rekomandohen disa pika nga lëngu i hudhrës në momentin e dhimbjeve. Shumë shpejt ky lëng do të jepte efekte të menjëhershme në qetësimin e veshit. Po kështu, rezultate mjaft të mira hudhra ka dhënë në shërimin e gripit, kur ai është i shoqëruar me bllokim të hundëve apo dhimbje të grykëve.
Një studim i kryer nga studiues amerikanë provoi se përbërësit e hudhrës mund të mbysnin 14 lloje të ndryshme bakteresh dhe mund t’i shkatërrojnë ato. Shumë e dobishme është hudhra edhe për të sëmurët që vuajnë nga astma dhe kolla. Përdorimi i saj ose lëngu që përftohet gjatë shtypjes, lehtëson rrugët e frymëmarrjes dhe qetëson të sëmurin. Në Luftën e Dytë Botërore, lëngu i hudhrës ka ndihmuar në mjekimin e plagëve të rënda, të marra gjatë luftimit.
Edhe sot ajo vazhdon të japë efekte të shkëlqyera në shërimin sa më të shpejtë të plagëve, duke zëvendësuar kështu edhe antibiotikët.
Mjekësia moderne ka njohur aftësinë që me anë të hudhrës dhe kurave, që e kanë në përbërje atë, të shërojnë sëmundje të ndryshme, siç janë arterie-skleroza, tensioni i lartë i gjakut dhe çrregullimet e qarkullimit të gjakut, problemet e zemrës.
Vetitë e qepës
Ilaçi bimor përbëhet prej kokës së qepës.
Qepa ka veti të shtojë lëngun tretës të stomakut, të rrisë veprimtarinë e veshkave (duke shtuar jashtëqitjen e urinës), të vrasë disa lloje mikrobesh.
Në sajë të këtyre vetive qepa përdoret kundër mbajtjes së ujit në organizëm (sidomos në pjesën e poshtme të trupit). Ajo ndihmon tretjen e ushqimit, hapjen e oreksit, lehtëson të dalën jashtë, shëron plagët e ndryshme dhe sëmundjet e gojës. Këto veti kuruese qepa i ka në sajë të lëndëve që përmban, sidomos të acideve organike dhe të vajit eterik me veprim antibiotik. Qepa përmban edhe sheqerna, yndyrë, proteina dhe pak vitamina si B1, C etj. Luspat e anshme të kuqe të saj përmbajnë kuercetinë dhe acid protokatetik (të cilët kanë veti ngjyruese). Nga mjekësia popullore, qepa u këshillohet të sëmurëve që vuajnë nga prostata për të pakësuar frekuencën e të urinuarit.
Përgatitja dhe përdorimi
Rezultate të mira në sëmundjet e përmendura më sipër arrihen duke përdorur disa kokrra qepë në ditë (sipas rastit, 2-6 kokrra qepë mesatare në ditë).
Si mjet diuretik dhe sidomos kundër ashitit, mund të përgatitet një çaj mjekësor në këtë mënyrë: Merrni 300 gr qepë, i shtypni derisa të kthehen në qull. Më pas në to shtoni 100 gr mjaltë dhe 600 gr verë të bardhë. Të gjitha bashkë i përzieni derisa të kthehen në një lëng të njëtrajtshëm dhe lini kështu 24 orë. Lëngun e përftuar e kulloni dhe pihet 2-4 lugë supe në ditë para buke.
Qepa mund të përdoret edhe në formë alkoolature, e cila përgatitet në këtë mënyrë: Merrni 100 gr qepë, i copëtoni dhe i zhytni në 100 gr alkool 90°. I lini aty për 10 ditë. Më pas, lëngu filtrohet dhe përdoret në masën 2-4 luge kafeje në ditë për të shtuar urinimin, si dhe në sëmundje të zorrëve. Luspat e anshme të kuqe, ose të kuqe në vjollcë të thata të 4-5 qepëve (50-100 gr), i zieni në xhezve me ujë. Çajin e kulloni dhe pihet i ëmbëlsuar (në darkë), për qetësimin e kollës. Po ky lloj çaji pihet edhe kundër heqjes së barkut, duke pirë 3 herë në ditë nga një gotë çaj para buke për 2 ditë rresht. Në lëkurën e dëmtuar (goditje, qelbëzim, morth etj.) vihet në formë llape qepë e grirë imët e përzier me pak kripë.
Në venat e zgjeruara (varice) qepa vihet në formë llape për 8-10 orë. 1 kg qepë e grirë imët mënjanon mbushjen me gjak të venave, duke lehtësuar në këtë mënyrë të sëmurin. Në gërvishtje të freskëta ose në plagë të shkaktuara nga shpimi vihen drejtpërdrejt në plagë cipat e luspave të qepëve, të cilat lidhen mbi vendin e dëmtuar. Në këtë mënyrë mënjanohen infeksionet kur mungojnë antibiotikët ose kemioterapeutikët. Për të pakësuar frekuencën e të urinuarit tek të sëmurët që vuajnë nga prostata, qepa përdoret në këtë mënyrë: 1 qepë e ndani në 4-5 pjesë dhe futeni në një enë ku shtoni një gotë me ujë. Qepën e lini aty për tërë natën. Të nesërmen lëngun e kulloni dhe pihet në mëngjes, esëll. Kjo dozë përsëritet për 40 ditë me radhë.
Për të lehtësuar të sëmurët nga astma këshillohet shurupi që përgatitet në këtë mënyrë: Hidhni 300 gr sheqer në një enë, e cila ngrohet mbi zjarr derisa sheqeri të shkrijë dhe të skuqet. Në këtë kohë në të shtoni 9 lugë gjelle me mjaltë (mundësisht i pavënë në zjarr), 2 kokrra qepë të grira imët dhe gjysmë litri ujë. Përmbajtjen e zieni derisa të shterojë gjysma e lëngut dhe pastaj lëngun e kulloni. Nga ky lëng ose shurup pini 3 lugë gjelle në ditë.
Paketë këshillash
-Të sëmurët që vuajnë nga tensioni i ulët nuk duhet të hanë hudhër.
-Këshillohet përdorimi i 3 deri 10 thelpinjve hudhër në ditë kundër sëmundjeve.
-Gjatë pirjes së lëngut të hudhrës ose ngrënies së saj lani mirë gojën.
-Këshillohet ngrënia e hudhrës për të fituar imunitetin e organizmit.
-Gjatë gatimit hudhra duhet të jetë e butë për të mos humbur vitaminat që ajo përmban.
-Hudhra shërben edhe për të ulur tensionin, për personat që vuajnë nga tensioni i lartë.
-Kjo bimë përdoret bashkë me erëzat e tjera për gatim, pasi shumë njerëz e pëlqejnë shijen e saj.
-Veprimi baktericid i hudhrave përdoret në industrinë e konservave për të zhdukur mikroorganizmat, që kalbin lëndën organike.
Preshi
Ilaçi bimor përbëhet nga gjethet e freskëta të preshit.
Edhe preshi, ashtu sikundër qepa, në gjendje të freskët ka veti bakteriostatike, nxit veprimin tretës të zorrëve, ndikon në uljen e presionit të gjakut etj.
Preshi ka edhe veti diuretike (ndihmon në jashtëqitjen e uresë dhe të kripërave të natriumit) dhe, së bashku me qepën, rekomandohet si ndihmë kundër fryrjes së gjymtyrëve (edemave) në rastet ashitit etj. Në të gjitha rastet prasi rekomandohet të përdoret i freskët. Farat e shtypura të prasit, të ziera në verë të bardhë, këshillohen kundër rërës në veshka dhe kundër dhembjeve therëse.