Ministria e Arsimit është kujdesur që t’ua ndërtojë një shkollë supermoderne, në vlerë prej hiç më pak se 1.2 milion eurosh, bashkëfshatarëve të kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Të hënën e ardhshme, gjashtë ditë para se të votohet për zgjedhjet e përkohshme parlamentare, kompania që e ka fituar tenderin “Standard Plus” do t’ia nisë punimeve për ndërtimin e objektit të shkollës fillore në Braboniq të Mitrovicës, fshat ky në të cilin ka lindur kryeparlamentari Kadri Veseli.
Vlen të ceket se edhe pse është në komunë të Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri i AKR-së, ky projekt është financuar nga Ministria që drejtohet nga Arsim Bajrami, kandidat për deputet të PDK-së.
Për ndërtimin e një shkolle kaq moderne, e cila nuk është ndërtuar as në qendrat më të mëdha të Kosovës, kontrata është nënshkruar gjatë muajit të kaluar (prill), derisa fillimi i punimeve është neglizhuar deri në afatin e mbajtjes së zgjedhjeve, ndonëse një gjë e tillë është mohuar nga kompania kontraktuese.