Në një ceremoni që frymoi shqip, Papa Françesku,19 vjet pas vdekjes, e ka shenjtëruar të dielën Nënë Terezën duke e bërë nënën e shenjtë shqiptare. Kjo ndodhi vetëm pasi të lumes Nëna Terezë iu verifikuan dy mrekulli, të cilat edhe janë kushtet e shenjtërimit.
Kanonizimin e nënës së madhe që i dha mirësi dhe paqe gjithë botës, e përcollën mijëra njerëz në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, shkruan“Zëri”.
E lumja Nënë Tereza e cila ia kishte dedikuar jetën e saj të varfërve, është shenjtëruar dje edhe zyrtarisht nga Papa Françesku në sheshin e “Shën Pjetrit” 19 vjet pas vdekjes së saj. Mijëra duartrokitje shpërthyen edhe para se Papa Françesku të përfundonte shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan. Globalisht e njohur për shërbimin e saj ndaj të varfërve dhe të sëmurëve, Nëna Terezë është e njohur më së shumti për punën e saj në Kalkutë të Indisë. Vetë Papa Françesku e përshkroi fituesen e Çmimit Nobel për paqe, si një dëshmitare të afirmitetit të Zotit ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.
“Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit. Mendoj se do ta kemi disi të vështirë ta quajmë atë Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq pranë nesh. Aq e butë dhe e pasur saqë spontanisht ne do të vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza. Le të na ndihmojë kjo punëtore e palodhur të kuptojmë më thellë se kriteri i vetëm për veprim është dashuria pa shpërblim, liria nga çdo ideologji dhe të gjitha obligimet, që duhet t’u jepen të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, race apo besimi. Nënë Tereza gjithmonë thoshte: “Ndoshta nuk flas gjuhën e tyre, por mund t’iu buzëqesh”. Le ta përcjellim buzëqeshjen e saj në zemrat tona dhe t’ua japim atë atyre që takojmë në rrugëtimin tonë, veçanërisht atyre që vuajnë”, tha Papa Françesku në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Më tej Papa në fjalimin e tij tha se Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore.
“Vullnetarët nuk presin as falënderime, as mirënjohje. Secili prej nesh mund të thotë se sikurse Zoti erdhi të më takojë kur kisha nevojë, ashtu edhe unë po eci drejt Tij dhe dua t’u shkoj në ndihmë atyre që kanë nevojë, familjeve në krizë, të sëmurëve, të burgosurve, të dobëtëve, emigrantëve, minorenëve të braktisur, ashtu sikurse edhe të moshuarve”, deklaroi Papa Françesku duke shtuar: “Kudo qoftë një dorë që kërkon ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës që mbështet dhe dhuron shpresë. Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore. Ajo është përkulur mbi persona që ishin braktisur nëpër rrugë duke ua njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti. Të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj”, tha Papa Françesku.
Ndërkohë, si për të shuar çdo dyshim dhe diskutim për prejardhjen e saj, lutja e parë në meshën e shenjtërimit të Nënës Terezë u bë në gjuhën shqipe.