Vetëfundosja

Autor: Imer Mushkolaj

Për demarkacionin me Malin e Zi, Isa Mustafa jo që nuk ka arritur t’i bindë qytetarët, por ka dështuar t’ua mbushë mendjen madje edhe deputetëve të partisë së tij. Ai po e fundos veten ngadalë, në përpjekje për t’ia përmirësuar gabimet Hashim Thaçit. Ai dhe qeveria e tij e kanë humbur legjitimitetin

As armiku më i madh nuk do t’ia përpilonte një plan shkatërrimi më të keq Isa Mustafës dhe qeverisë së tij sesa ai vetë. Seanca e të enjtes në Kuvend ishte një dështim lapidar i tij. Mustafa u detyrua të tërhiqet nga demarkacioni, duke dhënë një arsye që nuk i beson askush – madje as ai vetë. Por, më shumë se kaq, qeveria e udhëhequr nga ai nuk ia doli që një ndër vendimet e mëdha dhe të rëndësishme ta kalojë në Kuvend, duke treguar kështu se e ka humbur legjitimitetin dhe më nuk mund të flitet për një shumicë përfaqësuese.

Kuorumi për ta votuar ratifikimin e ligjit për demarkacionit ekzistonte dhe nuk kishte kurrfaë arsye logjike që të hiqej nga rendi i ditës.

Të tërheqësh nga votimi demarkacionin me arsyetimin se Lista Srpska nuk është në sallë dhe ka kërkuar koncensione në shkëmbim të votës përveç që është antkushtetuese, tregon edhe në çfarë derexhe ka rënë ky koalicion qeveritar, teksa varet nga Beogradi për të përligjur vendime shumë të rëndësishme për Kosovën. Me Kosovën bashkëqeveris Beogradi, nëpërmjet Listës Srpska.

* * *

Tash një vit qoftë kryeministri Isa Mustafa, qoftë presidenti Hashim Thaçi, qoftë kryeparlamentari Kadri Veseli miratimin e demarkacionit me Malin e Zi e kanë kthyer qëllim në vetvete, duke e vënë në krye të agjendës politike. Ashtu si dhe opozita. Pavarësisht argumenteve të prezantuara se versioni aktual mund të jetë gabim, ata kanë insistuar me kokëfortësi se pikërisht ky version duhet të kalojë. Qytetarët janë terrorizuar psikikisht me pohimet e ndryshme nga të dyja palët, ndërkohë që shumë çështje kanë ngecur pa i çuar përpara pikërisht nga shkaku i demarkacionit. Përtej pretendimeve të opozitës dhe të ekspertëve të fushës, treshja në krye të vendit me arrogancë vazhdon të promovojë si të drejtë versionin e demarkacionit të përcaktuar nga komisioni shtetëror, duke mos lënë kurrfarë hapësire për gjetje kompromisi, madje duke vazhduar logjikën e përjashtimit e jo të gjithëpërfshirjes në proces. Për një vit rresht treshja në krye të vendit nuk ia doli t’i bindë qytetarët se marrëveshja ishte në rregull, duke humbur kështu betejën në publik. Të enjten, kjo betejë u humb edhe në Kuvend. Qasja e zgjedhur nga Mustafa doli të jetë e gabuar, ngase për votimin e demarkacionit nuk ua mbushi mendjen as deputetëve të partisës së tij, e lëre më të tjerëve.

 

 

* * *

Kur e tërhoqi demarkacionin nga votimi në Kuvend, Isa Mustafa nuk tha se procesi do të rishikohet, por se i njëjti do të sillet sërish para deputetëve. Një një situatë kur dihet saktë se nuk ka gjasa për të kaluar versioni aktual, insistimi për ta çuar tutje të njëjtin është një lloj vetëvrasjeje politike. Është vetëfundosje e kryeminsitrit, e cila ka nisur ngadalë qysh në marrjen e vendimit për të bashkëqeverisur me PDK’në. Të provosh ta sjellësh versionin e njëjtë të demarkacionit në Kuvend, ndërkohë që e di paraprakisht se nuk do të kalojë, është budallallëk. Mrekullia mund të ndodhë vetëm nëse deputetët që po e kundërshtojnë ndërrojnë mendje për arsye të ndryshme, e që si në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, mund të jenë premtime për poste e privilegje, që nuk mund të refuzohen. Përndryshe, lëvizja nga pika e bllokimit është e domosdoshme – së pari duke e shkarkuar komisionin shtetëror, e pastaj duke e themeluar një trupë të re gjithëpërfshirëse, që do të mund të rinegocionte marrëveshjen me malazezët, për të gjetur një koncensus. Insistimi për të shkuar tutje me çdo kusht, me kokë të fortë, nuk çon askund dhe vetëm sa do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen dhe do ta polarizojë shoqërinë. Për demarkacionin edhe mund të bëhen votat e mjaftueshme që të kalojë, por pasojat do të jenë të mëdha. Një çmim shumë i lartë për t’u paguar.

* * *

Një çdo shtet normal, me politikanë normalë, dështimi për ta kaluar në Kuvend një marrëveshje të rëndësishme, si kjo me demarkacionin, do të duhej që kryeministrin ta shtynte që të kërkojë mocion vetëbesimi, të jep dorëheqje ose të prishë koalicionin. Por, në rastin e Isa Mustafës kjo nuk mund të ndodhë. Ai do të provojë me çdo kusht që të vazhdojë qeverisjen, ndonëse “kushtet” për dorëheqje i janë përmbushur qysh kur Gjykata Kushtetuese solli aktvendimin për Asociacionin e Komunave Serbe.

Isa Mustafa duhet të reflektojë dhe me maturi, e jo arrogancë të provojë ta zhbllokojë situatën. Nëse vazhdon ta luajë rolin e patericës së Hashim Thaçit, fundin e ka afër. Për fajin e tij, jo të të tjerëve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme