Ramush Haradinaj do përfshirjen amerikane në bisedimet me Serbinë

Të dielën më 11 qershor, në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat marrin pjesë 26 subjekte politike të të gjitha komuniteteve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kandidati i koalizionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj, thotë se synimi i tij është zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe përfshirja amerikane në bisedimet me Serbinë.

Intervistë me z. Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Ramush Haradinaj: Tani, fushata ka qenë e qetë, e mirë, besoj. Edhe pse e shkurtë në kohë, janë shpalosë programet, pikëpamjet qeverisëse. Qytetarët e dinë se çka kanë mundësi të zgjedhin. Jam i bindur që zgjedhjet kanë me qene të mira, të qeta dhe fer. Me dhënien e rezultatit, ne synojmë që të jemi edhe fitues të zgjedhjeve dhe ashtu parashihet. Pra presim që të fillojmë punë me përgatitjet për formimin e qeverisë edhe për veprimet qeverisëse, që duhet me qenë të shumta në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Ju synoni të merrni pushtetin, natyrisht, sikurse edhe të gjitha partitë tjera politike. Përse do të duhej qytetari i Kosovës të vendoste te votonte pikërisht për ju?

Ramush Haradinaj: Tani, qeverisja në vend nuk është në gjendje të mirë. Mendojmë se në koalicionin, në këtë rast që më ka nominuar, përfaqësojmë edhe vendimmarrjen politike, guximin po se po, por edhe vizioni ynë qeverisës është veprues. Pra, një qeveri vepruese në realen tonë, që e kemi në vend, që e avancon gjendjen në rend dhe ligj, qe avancon menjëherë gjendjen në ekonomi duke u bazuar në sipërmarrësit tanë, njerëzit tanë, familjarët tanë, mendoj në familjet e Kosovës, në fermerët. Pra, menjëherë me këta do të veprojmë dhe besoj që kjo është një shpresë për qytetarët e vendit.

Zëri i Amerikës: Ju hytë në koalicion me Partinë Demokratike, rivalen e vjetër me të cilën keni këmbyer shpesh akuza edhe fjalë shumë të rënda. Çfarë ndodhi? Kush ndryshoi? Ju? Ata?

Ramush Haradinaj: Ne nuk kemi bërë ndonjë ndryshim qëndrimesh për vlerësimin tonë për qeverisjet e kalueme, ose për të metat, për defektet që i kanë ndodhur vendit, për dëmet edhe humbjet në vend. Jemi të shqetësuar më gjendjen në vend. Është një vlerësim i tyre për mua, për Aleancën, edhe për Nismën, se ne jemi në koalicion bashkë. Unë e kam mirëprit këtë vlerësim e këtë besim që të punojmë bashkë për ndryshimin e gjendjes në vend. Koha është për fillimin e ri në Kosovë, për fillim të ri, kështu që janë përputhë plotë argumente edhe në atë që ka qenë qëllim edhe imi, që të ndryshojë gjendja qeverisëse në vend. Besoj se këto janë argumentet kryesore.

Zëri i Amerikës: Nëse ju bëheni kryeministër siç pretendoni, zoti Haradinaj, do të trashëgoni procese të papërfunduara por edhe të pashmangshme njëkohësisht siç është çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Si do t’i jepni udhë ju kësaj çështjeje, nëse bëheni njeriu i parë i qeverisë?

Ramush Haradinaj: Kjo është një temë e zakonshme në marrëdhëniet mes shteteve sidomos kur ato janë mike. Gabimi ka qenë te ne se kjo temë është bllokuar gjatë edhe është vepruar gabim në fillim. Do të korrigjojmë gabimet e së kaluarës, pra do ta ripunojmë versionin e vërtetë përmes një komisioni të ri në vend dhe menjëherë do t’i ofrohemi Malit të Zi për negocim. Ne kemi ndjenja të mira të ndërsjella pra, i jemi gëzuar dhe i gëzohemi dhe jemi përkrahë reciprokisht në procese të rëndësishme. Tani edhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, është një lajm i mirë për ne, për rajonin. Kështu që nuk e shohim sfidë ashtu si është rritë, pra është një rritje artificiale e kësaj teme.

Zëri i Amerikës: Përse duhet Mali i Zi të ulet në bisedime me juve? Ai e ka ratifikuar marrëveshjen, tashmë është në NATO, ai nuk ka probleme më kufirin. Si do ta bindni?

Ramush Haradinaj: Jeta vazhdon me mijë vjet. Ne jemi fqinjë. Do të thotë se marrëdhëniet me fqinjë janë të rëndësishme si për ne si për ata.

Zëri i Amerikës: Dhe kur jemi të fqinjët, zoti Haradinaj, një proces tjetër që ju pret të përballeni nëse bëheni kryeministër siç pretendoni, është edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Si do të duket ky proces pas 11 qershorit, nëse ju bëheni njeriu i parë i qeverisë?

Ramush Haradinaj: Në dojmë me bisedue në mes vete në Kosovë njëherë, pozitë – opozitë, pastaj me të gjithë akterët tjerë që u interesojnë dhe janë në lidhje me zhvillimet e ndërsjella, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe Amerikën. Ne jemi dakord që të vazhdohet një dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kërkojmë prezencën e Amerikës, pra, rolin e Amerikës në dialog. Dialogu për ne është njohje, pra në mes të dy shteteve të pavarura, pra dialog mes fqinjëve. Në asnjë variant nuk e shohim si dialog për tema të brendshme të Kosovës. Ka përfunduar edhe kjo epokë. I kemi dhënë mundësinë edhe kësaj logjike, por shihet se ka ngecur.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj Kosova, ka një varg problemesh e thatë edhe vet me të cilat përballet e po përballet tash e disa vjet, në mesin e tyre është edhe ajo e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Si po përballet vendi, a është i kërcënuar dhe si do ta trajtoni ju këtë çështje në qoftë se ju do ta drejtoni qeverinë?

Ramush Haradinaj: Tani ne mendoj se duhet të jemi serioz në këtë temë jo vetëm për shkak të Kosovës, por për shkak të trendëve globale se ky është një rrezik në rritje edhe do ta prek edhe Kosovën. Mendoj se ka pasë neglizhencë në të kalumen edhe rreth kësaj teme është neglizhue. Ne do ta trajtojmë këtë në themel që Kosova të mos jetë as strehë, as vend për rekrutim po as poligon veprimi, pra do të jemi serioz do ta luftojmë në themel.

Zëri i Amerikës: Kush paraqet më shumë kërcënim për Kosovën, radikalizmi islamik – Serbia?

Ramush Haradinaj: Ne i shohim dy vështirësi për Kosovën. Një janë këto vështirësitë e jashtme, ndërhyrjet nga Serbia janë rrezik për Kosovën se stagnimi i gjatë krijon rrethana për veprime të armiqve të paqes e të armiqve të progresit. Njëkohësisht, tendenca në rritje e lëvizjeve ekstreme islame po ashtu e rrezikon jo veç Kosovën po edhe rajonin. Por, problemi kryesor mendoj te ne është mënyra si ne qeverisim, pra një korrupsion që është rritë, një mos efikasitet i të gjitha institucioneve dhe administratës, rënie e besimit pra këto janë problemet e Kosovës, ne do të jemi serioz dhe të vendosur që të përballemi.

Zëri i Amerikës: Si do të përballeni me shkallën e korrupsionit? Kosova ju e dini që është e radhitur bukur keq në listat ndërkombëtare sa i përket luftës kundër korrupsionit. Si do ta bëni këtë luftë?

Ramush Haradinaj: Mendoj se është një situatë e re tani e tutje, pra nga nisja e punës, të gjithë do të jemi të thirrur të punojmë në norma edhe në etikë që na takon, në përgjegjësi ligjore që na takon. Ata që nuk arrijnë me punu në përputhje me normat me etikën dhe përgjegjësitë ligjore do t’i trajton ligji.

Zëri i Amerikës: Do t’u kthehemi po ashtu çështjeve të brendshme por kësaj radhe çfarë pas 11 qershorit. E di që është hipotetike por është e pashmangshme në raste të tilla, nëse ju dilni fitues me 11 qershor me kë jeni të gatshëm të bashkë qeverisni?

Ramush Haradinaj: Ne ju kemi drejtu qytetarëve të vendit me marrë besimin edhe ky është besimi i parë, nëse ky besim mjafton për të formuar institucionet atëherë jemi të obliguar që të veprojmë menjëherë. Nëse në një situatë të caktume kemi mungesë të numrit të deputetëve, mbetet me u shqyrtu po është tepër herët tani me prejudikue këtë. Mirëpo qëllimi ynë është një qeveri që është funksionale që nuk bazohet në votat e atyre që pengojnë proceset në vend.

Zëri i Amerikës: Po, është herët dhe është pak hipotetike por sido qoftë nëse nuk siguroni votat e mjaftueshme që të themeloni vet qeverinë, e që në Kosovë vështirë që dikush mund t’i ketë ato, do të detyroheni të zgjidhni midis pak forcave politike, nuk është se kanë mbetur shumë, janë një koalicion dhe një parti politike. Nga do të ju bënte më shumë zemra zoti Haradinaj?

Ramush Haradinaj: Nuk du me u deklarue tani, arsyeja është e thjeshtë ne ende nuk e kemi marrë verdiktin e qytetarëve me e pa cili është. Kemi shpresë të madhe se qytetarët do ta përkrahin opsionin qeverisës të koalicionit që përfaqësojmë dhe kjo sipas të gjithave gjasave është e mundshme pra që të jemi në situatë të krijimit të qeverisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme