Deponia e Mirashit, katastrofa mjedisore në prag të derës

Pas vitesh të keqmenaxhimit, deponia më e madhe e plehrave në Kosovë paraqet një katastrofë mjedisore dhe mund të shkaktojë ndotje të pakthyeshme të ujit.

 

Relievi i Mirashit është formësuar nga nxjerrja disadekadëshe e qymyrit për t’i ushqyer termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq, duke lënë mbrapa një gropë të madhe, të errët në hapësirën kodrinore. Miniera e braktisur e Mirashit, e fshehur nga syri i publikut, është bërë vend ideal për aktivitete që tani po çojnë drejt një katastrofe të madhe mjedisore.

Këto aktivitete përfshijnë shkarkimin e hirit nga KEK-u, gjë që ka rezultuar në përftimin e të ashtuquajturit liqen të kaltër, si dhe groposjen e mbeturinave në deponinë që ndodhet afër. Studimet më të fundit japin dëshmi se mbeturinat tanimë po i rrezikojnë ujërat nëntokësore dhe lumin Sitnica.

Gjendja në Mirash ka potencial të vërtetë të jetë katastrofë mjedisore që nuk do t’i ndikonte vetëm qytetarët të vendosur përreth, por do të mund të përhapej edhe më tej.

Janë dhjetë deponi zyrtare ku grumbullohen mbeturinat urbane në Kosovë dhe më se gjysma e tyre shihen nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) si pika rreziku mjedisore.

Deponia e Mirashit që ndodhet në komunën e Obiliqit është posaçërisht shqetësuese. Kjo deponi prej shtatë hektarësh – sa dhjetë fusha futbolli – mban plehra prej të shtatë komunave: Prishtina, Drenasi, Lipjani, Podujeva, Graçanica, Obiliqi dhe Fushë-Kosova. Është deponia më e madhe në Kosovë. Një e treta e tërë plehrave të prodhuara nga qytetarët e Kosovës – 100,000 tonelata në vitin 2015 – përfundon në Mirash.

Në Mirash, rezultatet e analizave të ujërave nëntokësore janë shqetësuese: ndotja tashmë ka nisur të përhapet në pjesët nëntokësore të deponisë.

Shumë vite të keqmenaxhimit e kanë bërë Mirashin rrezik mjedisor dhe projekti duket se nuk ka rrugë tjetër veçse të dështojë.

Ewelina Rathje, eksperte e hidrogjeologjisë që ka bërë një studim hidrologjik në vitin 2016 për agjencinë gjermane të zhvillimit (GIZ), ka thënë se situata në Mirash është alarmuese.

“Asgjë nuk shkon mirë në Mirash”, ka thënë ajo për “Prishtina Insight”. Meqenëse plehrat nuk mbulohen çdo ditë me dhe ato barten nga rrymat ajrore bashkë me erën neveritëse. Gjithfarë mbeturinash deponohen, përfshirë mbetjet e kafshëve, gjë që tërheq tufa qensh, si dhe mbetje mjekësore që mund t’i ndotin rëndë ujërat vërdallë.

Në njërën anë të deponisë, tymi i dendur dhe era e metanit janë tregues të zjarreve të vetvetishme që ndodhin si rrjedhojë e deponimit joadekuat të qymyrit. Kjo gjë e rrit rrezikun e përhershëm të shpërthimeve brenda deponisë ku nuk është instaluar ndonjë sistem i degazimit.

Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, frikohet se situata mund të shpijë drejt një aksidenti të ngjashëm sikur në Turqinë e vitit 1993, kur një deponi shpërtheu për shkak të grumbullimit të gazit të metanit. “Kjo paraqet një rrezik të përhershëm që edhe mund të shkaktojë vdekje të njerëzve”, ka shpjeguar ai.

Edhe në qoftë se situata në Mirash nuk është ende aq shkatërrimtare, deponia vetëm se është e dëmshme për mjedisin dhe njerëzit që jetojnë në atë hapësirë.

Sipas kreut të Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, masat afatshkurtra mund ta zgjidhin problemin.

“Për së paku katër apo pesë vjetët e ardhshëm, deponia e ka kapacitetin t’i mbledhë, t’i ngjeshë dhe t’i mbulojë mbeturinat që dërgohen atje”, ka thënë ai.

Rathje nuk pajtohet dhe këmbëngul se më e keqja mund të vijë me ndotjen e ujit nëntokësor.

“Problemi ka filluar para se të ishte deponia aty, sepse ajo nuk do të duhej të vihej në vend”, ka shpjeguar Rathje.

Neglizhenca dhjetëvjeçare

Në vitin 2004, Agjencia Evropiane për Rindërtim, EAR, e ka miratuar përdorimin e minierës së atëhershme të KEK-ut në Mirash për ta ndërtuar deponinë rreth 6 deri 10 metra ndër nivelin e ujit nëntokësor. Ky vendim u shoqërua me rreziqet e ndotjes së burimeve natyrore të ujit dhe formimin e një liqeni artificial qe rrezikon ta mbulojë hapësirën prej mbeturinash.

Për profesorin Bexhet Shala, gjeolog me specializim në mjedis, që ka marrë pjesë në studimin e GIZ-së, një vend si Mirashi nuk është tipik për deponi.

“Nuk është praktikë rutinore. Mund të gjesh pak raste në botë ku deponitë ndodhen në zona rreziku. Zakonisht duhet një hapësirë prej 15 metrash mes ujit nëntokësor dhe fundit të deponisë dhe fundi i deponisë nuk duhet të jetë mu përmbi ujin nëntokësor”, ka thënë ai.

Në fund të fundit, ndërtimi i një deponie në këto kushte është paksa sikur të ndërtosh shtëpi në bregdet ndër nivelin e detit – por kërkon vëmendje të veçantë, dije teknike dhe përvojë.

Ky është një bast prej rreth 3.5 milionë eurosh i bërë nga Agjencia Evropiane për Rindërtim, një agjenci e BE-së që e ka shtyrë përpara dhe e ka mbështetur financiarisht, pavarësisht paralajmërimeve në një raport të vitit 2004. Raporti, i kryer nga GolderAssociates, kompani e emëruar nga KEK-u për ta dizajnuar deponinë, e ka theksuar absurditetin e këtij projekti për shkak të shumë rreziqeve që lidhen me vendndodhjen e deponisë.

Një barrikadë dheu është ndërtuar mes liqenit artificial dhe deponisë për ta shmangur ndotjen e ujit dhe një pompë është instaluar për ta kontrolluar nivelin e ujit nëntokësor dhe për ta parandaluar vërshimin e deponisë. Uji, i quajtur i pastër, më vonë u pompua në lumin Sitnica që gjendet afër.

Gjer më tani, instalimi mund të jetë dukur se është nën kontroll, por pretendimi i menaxhimit të mirë nuk ka zgjatur shumë. Në vend se të ndërtohet një impiant për ta trajtuar leçatin, lëngun helmues që prodhohet nga plehrat, GolderAssociates ka rekomanduar të instalohet një sistem riqarkullimi që do të mbështetej në avullim.

Një vit pas hapjes së deponisë, ky sistem dështoi dhe leçati rrodhi në deponi dhe në liqenin afër, gjë që krijoi një përzierje lëngjesh helmuese, ujë shirash dhe ujë nëntokësor. Prej atëherë, uji i ndotur nuk mund të pompohet dhe të derdhet në Sitnicë.

Sot, Mirashi është “veçse deponi mbeturinash”, sipas Rathjes. Një birë e gërmuar në vend të papërshtatshëm, e ndërtuar jo mirë, me infrastrukturë të papërshtatshme në një kohë kur askush nuk e ka çarë kokën për ndotjen e ujit nëntokësor.

Keqmenaxhimi nga ana e kompanive private pas ndërtimit të deponisë nuk janë përmirësuar kur kapacitetet janë transferuar te Kompania e Menaxhimit të Kompanive në Kosovë (KMKK), ka pranuar Abdullah Haxhiu, drejtori i kompanisë.

“Është e vërtetë që në vitin 2007 pompat ishin jashtë funksionit dhe deponitë u janë dhënë disa kompanive private”, ka shpjeguar Haxhiu. “Më vonë, për një periudhë gjashtëmujore, deponitë u janë dhënë kompanive rajonale për menaxhim, por kjo po ashtu shkaktoi probleme”.

Për ta kuptuar më mirë nivelin e ndotjes së ujërave nëntokësore në rrethinën e deponisë, Rathje dhe ekipi i saj kanë mbledhur mostra të ujit prej vendeve të ndryshme brenda deponisë dhe hapësirave përreth. Fillimisht, ky ujë kishte qenë ujë natyror i ëmbël që vinte nga dheu dhe shirat.

Kur gjendet në dhe, uji është zakonisht i izoluar mirë nga ndotja. Sidoqoftë, ky izolim është thikë me dy teha: kur ndotësit arrijnë te uji nëntokësor, ai mbetet në dhe. Në Mirash, rezultati i analizave të ujërave nëntokësore është shqetësues: ndotja vetëm se ka filluar të përhapet në hapësirat nëntokësore të deponisë.

Rreziku i kontaminimit të ujit

“Nuk ma merr mendja se ka kohë. Mendoj se nuk ka hapësirë për optimizëm këtu”, ka deklaruar Rathje pasi shpjegoi se ujërat brenda dhe rreth deponisë veçse janë të ndotura dhe niveli i “liqenit të deponisë” po rritet për më shumë se një metër çdo vit.

“Nuk mund ta pastrosh ujin nëntokësor; nëse ndotet, është i ndotur… Çfarë unë s’mund të kuptoj është se përse nuk është bërë asgjë për gjashtë vjet”, tha Ewelina Rathje.

Nëse nuk ndërmerret asgjë, kontaminimi do të përhapet në të gjithë zonën: në dhe, si dhe në sipërfaqen përgjatë lumit Sitnica, i cili përfshin më se 40 kilometra përgjatë të viseve të Kosovës pas kalimit të Mirashit, duke e mbërrirë Obiliqin, Vushrrinë, dhe më në fund Mitrovicën ku edhe derdhet në Ibër. Pra, kjo ndotje mund të ketë ndikim në jetët e një numri të madh kosovarësh për breze me radhë.

“Nuk mund ta pastrosh ujin nëntokësor; nëse ndotet, është i ndotur”, ka thënë Rathje.

Në vitin 2010, një raport nga Korporata Ndërkombëtare e Financave (IFC) i ka paralajmëruar autoritetet e Kosovës për kontaminimin e ujërave, duke i nxitur të marrin masa. Asokohe, çmimi për rehabilitimin e deponisë u vlerësua të jetë 3 milionë euro nga ekspertët e IFC-së. Asgjë nuk është bërë prej atëherë.

“Çfarë unë s’mund të arrij të kuptoj është se pse nuk është bërë asgjë për gjashtë vjet? Është diçka që vërtet është magji e zezë për mua, sepse e vlerësoj si të papranueshme meqenëse problemi vazhdon të keqësohet dhe ata [autoritetet kosovare] e kanë ditur sepse secili raport in KEPA-s, çdo vit po e përmendin si pikë rreziku”, ka thënë Rathje kur është pyetur se a kanë pasur njohuri përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë për raportin e vitit 2010 dhe a kanë qenë të vetëdijshëm për situatën në Mirash.

Trysnia e ushtruar nga Zyra e BE-së në Kosovë ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) përmes një letre shqetësimi të dërguar tetorin e kaluar mund ta ndihmojë thyerjen e një status-kuoje prej më se 10 vjetësh. Ministri i kësaj ministrie, Ferat Shala, i ktheu përgjigje Zyrës së BE-së një muaj më vonë, duke siguruar se “Qeveria e Kosovës po kryen disa negociata me Qeverinë e Gjermanisë për ndihmë financiare”.

Në këtë letër, ministri Shala po ashtu cek se MMPH-ja do ta përdorë grantin e Qeverisë gjermane për ta pompuar ujin që ka rrjedhur në deponi jashtë tij, për t’u marrë me çështjen e ndotjes në deponi, për ta grumbulluar dhe kanalizuar metanin që lëshohet nga deponia dhe për të instaluar makineri që do ta përmirësojë menaxhimin e tij.

Por, askund në letër nuk përmendet shqetësimi kryesor i ngritur nga studimi i GIZ-it, i cili është se ngritja e niveleve të ujit të liqenit paraqet rrezikun e ndotjes së ujit nëntokësor.

Në dhjetor të vitit 2016, ministri Shala shpjegoi se një grant prej tetë milionë eurosh do të ndahej për rehabilitimin e të gjitha deponive në Kosovë. Deponia e Mirashit nuk është e vetmja deponi që paraqet rrezik mjedisor dhe tetë milionë euro nuk do të mjaftonin as për rehabilitimin e Mirashit dhe parandalimin e ndotjes së ujërave nëntokësore në një periudhë afatgjate. Gjendja është mëkequr shtatë vjetët e fundit, gjë që e ka dyfishuar apo trefishuar çmimin e restaurimit të deponisë. Ky projekt sot do të kushtonte “diku mes shtatë dhe dhjetë milionë eurosh”, sipas Rathjes.

Masat MMPH-ja do t’i implementojë në Mirash sigurisht që do ta përmirësojnë gjendjen, por nëse nuk bëhen veprime afatgjate për ta luftuar ndotjen e ujit, do të ketë ndikime të vazhdueshme negative për banorët e Kosovës.

Po u ndot uji nëntokësor, nuk do të ketë plan B, sepse ujërat e ndotura nëntokësore nuk mund të zëvendësohen brenda një muaji, viti, apo edhe një dhjetëvjeçari. /KALLXO.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme