Deputetët e PE kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të formojnë një grup pune të nivelit të lartë
Parlamenti Evropian në Strasburg u kërkoi autoriteteve në Prishtinë që “pa vonesë” të themelojnë Bashkësinë e komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e arritur “me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës“, shkruan albeu.com.
Eurodeputetët këtë e kanë theksuar në rezolutën për të cilën kanë debatuar, ndërsa sot do të votohet për të.
Ata gjithashtu theksuan se “Bashkësia e komunave serbe ende nuk është themeluar dhe nuk është hartuar as drafti i statutit të saj, dhe se për formimin e kësaj bashkësie janë përgjegjëse autoritetet e Kosovës“.
Deputetët e PE kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të formojnë një grup pune të nivelit të lartë “me mandat të qartë për hartimin e këtij statuti, i cili do të publikohet dhe do të paraqitet për debat në Kuvendin e Kosovës“.
Ata theksojnë se marrëveshjet e deritanishme në dialogun Beograd-Prishtinë duhet zbatuar dhe i bëjnë thirrje shërbimit evropian për çështje të jashtme, në krye të të cilit është Federica Mogherini që rregullisht të vlerësojnë se si dy palët po zbatojnë obligimet e tyre dhe për këtë t’i raportojnë PE.
Ata kanë shprehur shqetësimin e thellë për shkak të arrestimit të Ramush Haradinajt në bazë të akuzës ndërkombëtare të vitit 2004 nga Serbia në bazë të juridiksionit universal të gjykatës së saj për krime lufte.
“Dhe shprehin keqardhje”, thuhet në draft-rezolutë, “keqpërdorimi për hetime të qytetarëve të vendeve që i kanë takuar ish-Jugosllavisë”.
Në dokumentin e PE shprehet kënaqësia që Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa shpreh shqetësimin që autoritetet prishtinase nuk përmbushin obligimet e tyre në mënyrë që kjo të zbatohet, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, thyerjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. /albeu.com/