Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, thotë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.
Ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë pas certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme.
“Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në Qeveri. Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj gjatë një interviste për REL.
Haradinaj ka komentuar edhe deklarimet e ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, se ai do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme.
“Nuk e marrë në shqyrtim atë që ai e thotë. Proceset janë të qarta. Dihet se si rrjedh procedura. Ne e kemi bërë një përvojë nga e kaluara. Pra, nuk kemi mundësi që të krijojmë improvizime që bllokojnë e as improvizime që e vonojnë Kosovën. Nuk do të bëjmë më improvizime, jemi serioz në punë. Pra, mandatin që na është dhënë nga qytetari, do ta zbatojmë”.
“Nuk do t’i humbim kohë vendit. Pra, në afatin më të shkurtër kohor do të veprojmë me Qeverinë. Një javë nga certifikimi, por certifikimin final e bën KQZ-ja. Në momentin kur ata kryejnë punë, ne brenda javës do të jemi të gatshëm”, ka thënë Haradinaj.
https://www.evropaelire.org/a/ramush-haradinaj-qeveria/28551673.html