Beteja e paqes po del më e vështirë sesa kanë parashikuar “Krahu i luftës” apo liderët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).
Kur tashmë numërimi së prapthi ka nisur për fromimin e Qeverisë, ata ende nuk kanë siguruar numrat e nevojshëm për ta bërë atë.
I nominuari për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, edhe dje u zotua para shefes së Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, se shumë shpejt do t’i krijojë institucionet, shkruan “Zëri“.
Por, premtimi i tij pas rezultateve të para që dolën nga zgjedhjet, se javën e parë do ta formojë Qeverinë, tashmë duket i pamundur.
E, analistët e shohin të vështirë edhe në javën e dytë, të tretën apo gjatë tërë muajit. Ata madje nuk përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
E për t’ia vështirësuar punën Haradinajt po përkujdesen edhe dy blloqet tjera politike, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA.
Pas refuzimit që ia bënë ftesës së Haradinajt për takim, përfaqësuesit e këtyre partive thonë se në mesin e tyre nuk ka votë për qeverinë “Haradinaj”.