Ekspertët e ekonomisë në vend thonë se nga Plani për Zonën Rajonale Ekonomike, të miratuar në Samitin e Triestes, Kosova më shumë do të humbasë sesa pritet që të përfitojë.
Sipas tyre, shtetet e vogla si Kosova pësojnë humbje në marrëveshje tregtare ekonomike për shkak të politikave doganore dhe zhvillimit të ulët ekonomik, shkruan gazeta Zëri.
Kurse përfitimet mund të jenë në rrugën e integrimit në tregun evropian, fushës së energjisë e në lëvizje të lirë.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike (OEK) pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Triestes e ka konsideruar frytdhënës për fushën e energjisë. Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë për Kosovën për bashkëpunim me vendet e rajonit.
“Pjesë e rëndësishme janë projektet në energji dhe në transport, që krijojnë korridore të reja dhe lidhje në korridore ekzistuese për të gjitha vendet e Ballkanit, si dhe mundësi për avancim drejt një tregu të përbashkët rajonal energjetik për ta shfrytëzuar potencialin komplementar të burimeve energjetike në rajon”, ka thënë Rukiqi.