Mustafa: Ballkani, me treg e dogana funksionale, por jo unike

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një interviste për Radio Evropa e Lirë ka folur ndër tjerash edhe rreth samitit të mbajtur në Trieste të Italisë, gjegjësisht rreth asaj se çfarë në fakt nënkuptojnë marrëveshjet për një treg dhe ekonomi të përbashkët të Ballkanit në rrugën drejt integrimit evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, ju sapo jeni kthyer nga samiti i mbajtur në Trieste të Italisë. Çka, në fakt, nënkuptojnë marrëveshjet për një treg dhe ekonomi të përbashkët të Ballkanit në rrugën drejt integrimit evropian?

Isa Mustafa: Në fakt, ka pasur iniciativa edhe më herët që të flitet për tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, Serbia kishte shkuar edhe më larg me propozimin e saj, që të ketë edhe union doganor të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ne kemi argumentuar se kjo nuk mund të bëhet, për arsye se do ta kthenim një përbërje të mëhershme që ka qenë në këtë pjesë të Ballkanit. Ne i kemi harmonizuar qëndrimet që të kemi një hapësirë të përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të mundësonte që të lehtësohet të bërit tregti mes këtyre vendeve, të lehtësohen marrëdhëniet ekonomike, marrëdhëniet tregtare; të ketë një lëvizje të papenguar të punëtorëve ndërmjet këtyre vendeve njëherë dhe pastaj me vendet e Bashkimit Evropian. Të punojmë bashkërisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian, qoftë nga vendet e tjera, sepse do të dëshmonim se kemi një treg më të madh dhe një hapësirë më të madhe ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë tregu bëhet fjalë?

Isa Mustafa: Kur flas për tregun, nuk flas për një treg të përbashkët apo unik, por për një treg që funksionon përmes lehtësimit të marrëdhënieve tregtare mes këtyre vendeve dhe, po ashtu, për digjitalizimin e ekonomisë, si proces të cilin kryesisht tani e përkrah Gjermania dhe ka propozuar që vitin e ardhshëm të mbahet edhe një samit i këtyre vendeve për procesin e digjitalizimit, sepse konsiderojnë se ne kemi ngecur këtu. Duhet të punojmë në infrastrukturën e digjitalizimit dhe po ashtu edhe në unifikimin e legjislacionit ose masave të buta të kësaj fushe.

Unë konsideroj se është një e arritur, sepse edhe deri më tani në të gjitha fushat ku ne kemi lehtësuar bashkëpunimin tonë ekonomik, ajo ka ndikuar në rritjen ekonomike dhe në efektet ekonomike, por në asnjë rast nuk bëhet pengesë që një vend të vihet në një pozitë, të themi monopolistike, ose në një pozitë të ushtrimit të ndikimit, sepse kjo lloj marrëveshjeje nuk mundëson. Fundi i fundit, në qoftë se i marrim si të tillë komponentët e këtij dokumenti, ose të këtij plani aksional, janë ato të cilat tani ne po i realizojmë, sepse edhe tani po punojmë për bashkëpunimin tregtar, po punojmë për lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Unë kam shtruar atje se për Kosovën është me rëndësi që ne të punojmë me Bosnjë dhe Hercegovinën, në mënyrë që të hiqet regjimi i vizave, sepse me regjim të vizave ne nuk do të kemi hapësirë tregtare me atë vend. Edhe me Serbinë, po ashtu, duhet të hiqen të gjitha kufizimet që kanë të bëjnë me certifikatat për njohjen e cilësisë së mallit, për njohjen e origjinës së mallit, të certifikatave fitosanitare dhe të tjerat, për të cilat Serbia mund t’i përdorë masat e veta që të pengojë qarkullimin e mallrave tona në Serbi, ose origjinën e mallrave tona, në rast se nuk e njeh Republikën e Kosovës.

I kemi shtruar të gjitha ato, por mund të them se qasja e të gjithëve ka qenë pozitive, do të thotë ka qenë një frymë pozitive dhe unë e vlerësoj atë.

Radio Evropa e Lirë: Te çështja e pengesave që krijohen në mes vendeve të Ballkanit, a do të duhej që fillimisht liderët ballkanikë t’i tejkalonin këto barriera, në mënyrë që pastaj të mund të flitej për një barazi ndërmjet vendeve në procesin e tyre integrues?

Isa Mustafa: Po ne gjatë procesit të diskutimit të këtyre proceseve ose të këtij dokumenti, të këtij plani aksional të hapësirës së përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor, e kemi shtruar edhe këtë. Nga Bashkimi Evropian është argumentuar se vetë hyrja në këtë proces do të mundësonte zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e vështirë që njëherë të themi t’i zgjidhim problemet dhe pastaj të ndërtojmë këtë koncept, sepse ata dëshmojnë se fakti që ne po hyjmë bashkërisht në këtë proces, atëherë implementimi i këtij procesi ndërlidhet me tejkalimin e këtyre pengesave, të cilat që ne i kemi. Është shansi më i mirë i tejkalimit të këtyre pengesave vetë procesi, të cilin ne tani po e ndërtojmë.

Radio Evropa e Lirë: Te problemi me Bosnjën. A është diskutuar ndonjëherë në nivelin Prishtinë-Sarajevë kjo çështje? Ka shumë probleme, që nga mosnjohja deri te lëvizja e lirë…

Isa Mustafa: Unë e kam diskutuar në mars të këtij viti, kur kam qenë në vizitë në Sarajevë. Ka qenë, po ashtu, një takim i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më ka rastisur që të ulem me kryeministrin e Bosnjës [Denis] Zvizdiq dhe të diskutojmë. Ata kanë shprehur gatishmërinë, por edhe nevojën që të ulemi, të gjejmë zgjidhje. Sipas tyre, me prioritet do të kërkonim zgjidhje te bizneset, në mënyrë që bizneset t’i lirojmë, dhe atyre fillimisht t’ua lehtësojmë qarkullimin e tyre-shumë më të lehtë dhe më të lirë dhe pastaj të shkojmë edhe te popullata, sepse këtë problem e kemi edhe te popullata, te njerëzit tanë që punojnë dhe jetojnë në Bosnjë. Edhe ata që nga Bosnja, do të duhet të kenë nevojë të vijnë në Prishtinë, sepse ne megjithatë aplikojmë reciprocitetin. Në këtë reciprocitet, ne nuk vëmë kufizime vetëm për qytetarët boshnjakë apo qytetarët e tjerë, por edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Bosnjë dhe ata i bartin pasojat e këtyre marrëdhënieve ndërshtetërore, të cilat ne i kemi.

Radio Evropa e Lirë: Cila është pikëpamja e juaj rreth të ardhmes së Ballkanit në BE? E shihni si të mundur që vendet të aderojnë në Bashkimin Evropian në vitet në vijim?

Isa Mustafa: Unë e kam thënë edhe në fjalim se ky proces i Ballkanit Perëndimor e ka lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet këtyre vendeve. Mirëpo, në asnjë rast nuk do të mund ta kisha pranuar që ky proces të jetë i tillë, që ne njëherë të ndalemi në një zonë, të jetojmë në një hapësirë bashkë, të themi në një paradhomë të Bashkimit Evropian, sepse ajo do të ishte e dëmshme edhe për BE-në edhe për ne.

Në fakt, të gjitha deklaratat të përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, të shteteve të fuqishme evropiane – sepse në këtë samit ishte edhe kancelarja gjermane [Angela] Merkel, ishte presidenti i Francës [Emmanuel] Macron, ishte kancelari i Austrisë [Christian Kern], ishte kryeministri i Italisë [Paolo Gentiloni], ishte kryeministri i Sllovenisë [Miro Cerar], ishte kryeministri i Kroacisë [Andrej Plenkoviq]- do të thotë të atyre vendeve që me ne kanë bashkëpunim shumë të ngushtë – dhe të gjithë ata u deklaruan se dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor, se këto vende janë vende evropiane, sepse megjithatë, jemi në qendër të Evropës, porse ka nevojë që të përkrahen, por edhe ne ta përkrahim vetveten, në mënyrë që sa më shpejt t’i kapërcejmë këto procese.

Tani, për mua është e vështirë që të flas për afatizime kohore, por ajo që do të dëshiroja është që ne, si Kosovë, të fokusohemi në detyrat tona, në përgjegjësitë tona që i kemi edhe në forcimin e shtetit ligjor, edhe në forcimin ekonomik të vendit tonë, në mënyrë që sfidat që ne duhet t’i kapërcejmë karshi integrimeve në Bashkimin Evropian, t’i lehtësojmë vetë sepse vetë ne duhet t’ia lehtësojmë vetes rrugën. Ndërkaq, dyshoj se Bashkimi Evropian do të na e ndërlikojë këtë rrugë, në qoftë se ne tregohemi edhe të gatshëm, të aftë dhe të ndërgjegjshëm në këtë rrugë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme