Për t’u punësuar në Komunën e Prishtinës duhet ta kesh të afërm ish-sekretarin e VV’së, Dardan Molliqajn. Kështu po deklarohet njëri nga ish-aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhevat Sefaj, i cili që nga viti 2010 e deri vitin e kaluar kishte dhënë kontributin e tij për këtë subjekt politik.
Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Xhevet Sefaj, i cili ishte edhe pjesë e FER-it në të kaluarën, thotë se kishte besuar naivisht si shumë të tjerë në Lëvizjen Vetëvendosje, por që në fund ka mbetur i zhgënjyer prej këtij subjekti. Sefaj thotë se vitin e kaluar ka hequr dorë nga të qenit aktivist për këtë parti.
Ai në një prononcim për Gazetën Express flet për punësimet që në mënyrë të paligjshme bëhen në komunën që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti. Sefaj deklaron se Prishtinë, për të gjitha konkurset për punësim jepen direktiva nga Dardan Molliqaj.
Ai tregon se si vet nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, gjatë një takimi i kishte thënë se lidhur me çështjen e punësimeve në Prishtinë, të gjitha kompetencat i ka Dardan Molliqaj.“…vetë Dardan Sejdiu më pyeti nëse i kisha punët mirë me Dardan Molliqaj. Mbeta i habitur, se pse nevojitej t’i kisha punët mirë me Dardan Molliqajn. I thashë mirë i kam, por s’po di çka ka të bëjë Dardan Molliqaj jashtë Komunës së Prishtinës dhe pse duhet me e pas mirë me të? Dardan Sejdiu më tha “sepse ai po merret me ketë punën e punësimeve ne Komunën e Prishtinës”, tregon Sefaj.Ish koordinatori i qendrës së VV’së në Pejë, Xhevat Sefaj, akuzoi Dardan Molliqajn se ka punësuar mbi 480 njerëz me kontrata të veçanta. “Dardan Molliqaj është mbi Shpend Ahmetin dhe mbi të gjithë në Komunën e Prishtinës dhe s‘e ai me listë i ka punësuar mbi 480 persona me kontrata mbi vepër, sipas shijes së tij dhe sipas lojalitetit që këta persona kanë treguar ndaj tij”, thotë Sefaj.Tutje ai reagon sesi i kishte thënë nënkryetari Dardan Sejdiu kur Sefaj si aktivist i Vetëvendosjes në Pejë ishte interesuar që të punësohej në komunën e Prishtinës.“Kam pritur tre vjet që Vetëvendosje do të mendojë vetë për një vend pune meritor edhe për mua. Pasi nuk iu ra ndërmend, pas tre vjetëve vendosa të interesohem dhe në vitin 2016 u hap një konkurs publik nga Komuna e Prishtinës për disa vende të lira të punës në arsim. Si një mik i vjetër me Dardan Sejdiun, nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, që njiheshim që nga partia FER, vendosa të shkoj ta takoj dhe të marrë informacione rreth konkursit të hapur. E takova Dardan Sejdiun në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës dhe pasi biseduam miqësisht, e pyeta rreth konkursit të hapur, duke i thënë se nuk dua favore, por dua të konkurrojë edhe unë si të gjithë tjerët”, tregon ai.Ish aktivisti i VV’së, thotë se i kishte të gjitha kualifikimet për punësim. Por sipas tij, lidhjet parti-aktivistë në Kosovë, janë tërësisht klienteliste dhe klienteliste kanë qenë edhe në Vetëvendosje dhe në Komunën e Prishtinës.“Vetëvendosje ka përfunduar në parti klienteliste me ose pa dëshirën e saj, prandaj po bie shumë keq në opinion, kur po i publikohen keqpërdorimet tash, sepse po tenton ta mashtrojë opinionin se ajo është ndryshe nga partitë e tjera, por qeverisja klienteliste në Komunën e Prishtinës po i tradhton dhe po vërehen hapur që po mashtrojnë publikun“, deklaron ai.
Ndërkohë që Xhevat Sefaj, në bazë të profilit të tij në Facebook, rreshtohet në krahë të AAK’së.