Ish-gazetari, Milaim Zeka, tani deputet i koalicionit PAN, e ka nisur mandatin e tij me deklarata ofenduese. Tha se nuk do të votojë si deputetët ballkanas që mendojnë si kuaj.
Por, ky nuk është i vetmi “margaritar” i Zekës që në ditën e parë. Ai, votën e tij që ishte përcaktuese për shtyrjen e seancës, u mundua ta shndërronte në humor, por i kërcënoi kolegët e koalicionit për shkak të vonesës.
Para se të hyjë në sallën e Kuvendit, Zeka ka thënë se ai nuk voton si deputetët e Ballkanit që mendojnë si kuaj.
Vota e tij ishte përcaktuese për pauzën e kërkuar nga koalicioni PAN, e që fillimisht iu numërua si votë kundër. Por më pas, u zbulua nga deputetja Gaxherri dhe doli e ironizoi me votimin e tij.
Performancën me gjuhë jo të zakonshme prej deputeti, e ka vazhduar me ish-kolegët e tij gazetarë në hollin e Kuvendit.
Por kritikoi ashpër kolegët e tij deputetë që u vonuan në seancë.
Nuk është hera e parë që në Kuvend flitet me këtë gjuhë. Legjislatura e 5-të e ndalur në gjysmë, solli trendin e shprehjeve që më parë opinioni kosovar nuk i dëgjonte.
Le të përkujtohen përplasjet e Fisnik Ismajlit me Kadri Veselin, qëndrimi i këtij të fundit ndaj njërës deputete me shprehje fyese, si dhe mbetja në tentativë e gjuajtjes me këpucë nga deputetja Ganimete Musliu.