Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thënë se asnjë vendim madhor për Kosovën nuk merret pa miratimin e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiqit.
Sipas tij, “dialogu në Bruksel dhe produkti politik i tij Lista ‘Srpska’ po e bëjnë qeverinë e Serbisë faktorë vendimmarrës të patejkalueshëm në Kosovë”
“Nënshtrimi politik na e pamundëson pavarësimin ekonomik. Energji elektrike këmbejmë më shumë me Serbinë se sa me Shqipërinë. Mallra më shumë blejmë prej Serbisë se sa prej Shqipërisë. Vendimin për Kodin telefonik për Kosovën, përmes marrëveshjes në Bruksel, regjimi ia lë në dorë tërësisht Serbisë. Policia e Serbisë hyn në territorin e Kosovës kur të dojë”
” Në UNESCO nuk na pranuan për shkak të fushatës raciste të Serbisë e dështimit amator të Thaçit. Anëtarësimi në UNESCO do të nënkuptonte ndarje nga Serbia sepse trashëgiminë kulturore e historike e kemi të uzurpuar nga Serbia”.
“Shteti i ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë për çdo herë e më shumë po e merr karakterin e një shteti të huaj për qytetarët, sepse për çdo herë e më shumë po largohet nga vullneti i tyre. Kështu ky shtet nuk po largohet nga Serbia. Kjo është fatkeqësia e parë. Njëkohësisht po kërcënon të na largojë nga Shqipëria. Kjo është fatkeqësia e dytë”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.