Kush është John Kelly, nga marins në shef i stafit të presidentit Trump

Nga marins në ekzekutues të politikës të Donald Trumpit për emigrimin: John Kelly është tani zyrtari më i lartë në stafin e Shtëpisë së Bardhë.

John Kelly “do të sjellë një strukturë të re në Shtëpinë e Bardhë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, duke njoftuar emërimin e tij. Gjeneral në pension Kelly, me origjinë nga Bostoni, u betua të hënën, si shef i stafit të presidentit amerikan Donald Trump. Më parë Kelly ishte për gjashtë muaj ministër për Sigurinë Kombëtare. Në këtë detyrë ai spikati me një politikë të rreptë, të karakterizuar nga arrestimet masive të emigrantëve të paligjshëm.

Menjëherë pas dorëheqjes së kreut të komunikimit Anthony Scaramucci, Sanders tha se nga tani e tutje i gjithë “stafi” do të jetë në varësi të Kelly-t. Pushimin e Scaramuccis-it nga detyra vëzhguesit e shohin si një shenjë që Kelly-i do të bëjë spastrime brenda qeverisë. Posti i ri i Kelly-it në Shtëpinë e Bardhë është hapi i dytë në karrierën politike që pason karrierën e tij të gjatë si ushtarak.

Nga ushtar i këmbësorisë në gjeneral

John Kelly filloi karrierën e tij me hyrjen në trupat e Marinës amerikane në vitin 1970. Dy vjet më vonë ai u largua nga ushtria dhe vazhdoi studimet në Universitetin e Massachusetts. Pas diplomimit, ai u kthye sërish tek marinsat si oficer.

Në vitin 1999 ai qe këshilltar special i Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s. Por hopi më i rëndësishëm në karrierë erdhi gjatë shërbimit të tij në Irak nga viti 2003, kur ai u gradua gjeneral brigade dhe mori përsipër task-forcën e sapoformuar “Tripoli” . Misioni i kësaj njësie ishte sigurimi i rajoneve veriore dhe i qytetit Tikrit pas rënies së Bagdadit.

Në vitin 2008 Kelly u emërua komandant i forcave të Aleancës në perëndim të Irakut. Një vit më vonë ai u kthye në Shtetet e Bashkuara, më 2011, u bë këshilltari kryesor ushtarak i ish-ministrit të Mbrojtjes Leon Paneta.

Përgjegjës për Guantanamon

Në korrik të vitit 2012, presidenti amerikan Barack Obama e emëroi Kelly-n shef të Komandës Jugore të SHBA-së, që mbikqyr operacionet ushtarake në Amerikën Latine, Karaibe dhe Gjirin e Guantanamos në Kubë.

Në këtë cilësi, ai raportoi në vitin 2015 përpara anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes të Senatit se kontrabanda e qenieve njerëzore në kufirin SHBA-Meksikë përbën një kërcënim ekzistencial për SHBA-në. “Organizatat terroriste mund t’i shfrytëzojnë këto rrugë të kontrabandistëve për të sjellë luftëtarët e tyre në vend me qëllim që t’i shkaktojë dëme serioze popullatës sonë – ose për të sjellë armë shkatërrimi në masë në Shtetet e Bashkuara”

Stacioni tjetër: Shtëpia e Bardhë

Kelly doli në janar të vitit 2016 në pension dhe i dha fund përfundimisht karrierës ushtarake. Një vit më vonë, presidenti Trump e emëroi si ministër për Sigurinë Kombëtare. Në këtë pozicion, Kelly ishte përgjegjës për më shumë se 24.000 të punësuar, përfshirë edhe rojet kufitare dhe ata të Shërbimit Sekret, të Imigracionit dhe Shtetësisë.

Kelly mbetet mbështetës i propozimit të Trumpit për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Presidenti vetë e quajtin shefin e tij të ri të shtabit “një yll të vërtetë të qeverisë së tij.” /dw

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme