Për dy muaj drejtues të koalicionit PAN kanë deklaruar vazhdimisht se i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta formuar Qeverinë. Por, në tentativën e tyre të parë ata nuk i kishin numrat as për ta shtyrë seancën për dy orë e lëre më për ta “rehatuar” Kadri Veselin. E vetmja votë e tyre e “kontrabanduar” ishte Teuta Rugova
Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) dështoi ta zgjedhë Kadri Veselin kryetar të Kuvendit të Kosovës në seancën e ftuar për ditën e djeshme, duke i demantuar kështu drejtuesit e këtij koalicioni se i kanë votat e nevojshme të deputetëve.
Seanca e 3 gushtit nisi me vonesë dhe pa praninë e PAN-it, por edhe pas ardhjes së deputetëve të këtij koalicioni u kërkua që zgjedhja e kryetarit të shtyhej për dy orë.
Pas shumë mospajtimeve mes blloqeve politike, drejtuesi i seancës, deputeti më i vjetër Adem Mikullovci, mbylli seancën rreth orës 12:00, ndonëse 60 deputetë votuan pro shtyrjes dhe 60 të tjerë ishin kundër saj.
Megjithatë, ndonëse seanca u thirr sërish në orën 15:00 të së enjtes, koalicioni PAN vendosi ta bojkotojë unanimisht atë.
Me këtë rast Mikullovci e shpalli sërish të përfunduar seancën, duke e thirrur vazhdimin e saj për sot, në orën 10:00. Pavarësisht kësaj, Blerand Stavileci nga koalicioni PAN gjatë një konference në orët e pasdites ka njoftuar se nuk do të jenë pjesë e seancës së thirrur për të premten, siç ka thënë ai, pa u ndryshuar mentaliteti uzurpues i institucioneve.
Ndërkohë, pas bojkotit të PAN-it përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të koalicionit LAA konsideruan se ky koalicion nuk e ka synim formimin e institucioneve. Ata theksuan edhe një herë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, por megjithatë i bënë thirrje PAN-it që të vijë sot në seancë dhe t’i zhbllokojë institucionet, duke kandiduar një person tjetër për postin e kryekuvendarit, e jo Kadri Veselin. ..(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri)