Kelmendi del me propozim se kush duhet ta formojë Qeverinë: PDK e LDK opozitë

Gazetari e publicisti Adriatik Kelmendi thotë se qytetarët kanë votuar për t’i çuar në opozitë PDK-në e LDK-në. Sipas tij, këtë e ka kuptuar LDK-ja, por jo edhe PDK-ja.

Kelmendi thotë se zgjidhja më e mirë për të formuar koalicionin qeverisës, janë partitë Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, shkruan Periskopi.

Sipas tij, zgjidhje e mirë mund të jetë edhe Vetëvendosje në pushtet, por me mbështetje të LDK-së nga opozita.

Ai nuk e arsyeton hyrjen në një situatë bllokade politike, sepse ndikon negativisht në bërjen e shtetësisë dhe në zhvillimin e përgjithshëm.

Komenti i plotë në Facebook:

Të bëhemi seriozë: E vetmja arsye përse Kadri Veseli ia ka lëshuar kandidaturën e kryeministrit Ramush Haradinajt ka qenë synimi që koalicioni PDK, AAK e NISMA të mund të mbledhë mjaftueshëm vota për t’i krijuar institucionet vetëm.

Krejt legjitime kjo deri këtu.

Mirëpo, ja që disponimi i votuesve kësaj radhe ishte i tillë dhe e ndali PAN-in në vetëm 39 deputetë, pamjaftueshëm për formim institucionesh.

Po ashtu, votuesit e renditën koalicionin rreth LDK-së si të tretin.

Ky është verdikti i këtyre zgjedhjeve, bardhezi.

Nuk do të thotë që nuk do të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen.

Por, nëse vërtet ka disponim për ta lexuar qartë votën e qytetarëve – ata kanë votuar për t’i çuar në opozitë PDK-në dhe LDK-në.

LDK-ja ka dhënë sinjale se e ka kuptuar këtë porosi.

PDK-ja ende jo.

Zgjidhja mund të jetë një qeveri LVV-AAK-NISMA, meqë këto tri parti edhe ashtu e kanë bërë bashkë opozitarizmin ndaj koalicionit LDK-PDK përgjatë 3 viteve të kaluara.

Ose një LVV, e qashtuquajtur qeveri e pakicës, me mbështetjen e votave të LDK-së nga opozita.

Në një situatë të këtillë, pastaj, edhe mund të ketë kompromise për postin e kryetarit të Kuvendit.

Por, nuk ka asnjë arsye të hyjmë në një situatë të re bllokade, e cila po na kushton shtrenjtë në rrumbullakësimin e shtetësisë së vendit dhe zhvillimin e përgjithshëm.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme