KMDLNj ka ngritur si shqetësim neglizhencën e komisionit gjyqësor që vendos për pezullimin e përkohshëm të dënimit për personat e privuar nga liria dhe të cilët kërkojnë mëshirë për shkak të gjendjes së rënd shëndetësore, transmeton Koha.net.
KMDLNj nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se përkundër dëshmive që të burgosurit kanë për gjendjen shëndetësore, komisioni po vonon përgjigjet për shkak të kërkesave të shumta.
KMDLN ka dhënë detaje të reja për vdekjen e një të burgosur me gjende të rënd shëndetësore, dhe i cili kishte bërë kërkesë që të lirohet me kusht, por që komisioni nuk ia kthej kurrë një përgjigje.
Kjo është komunikata e plotë të KMDLNj-së:
Sipas informatave të KMDLNj-së , për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore , në Burgun e Dubravës ka vdekur F.B. i lindur me datë 30 .04. 1953 në Prizren dhe në vuajtje të dënimit nga data 24.01. 2017. I dënuari e tash i ndjeri F.B. ka pasur një dosje me shumë probleme shëndetësore dhe në kuadër të mundësive është trajtuar në Ambulancën e Burgut të Dubravës kurse është dërguar për trajtim edhe në Spitalin Rajonal në Pejë dhe QKUK në Prishtinë ndërsa gjatë qëndrimit në Burgun e Dubravës kryesisht ka qëndruar në Ambulancën e Qendrës Korrektuese të Dubravës. Përveç Diabetit 2 , i ndjeri ka pasur probleme të theksuara kardiologjike dhe me mushkëri të cilat janë trajtuar në përputhje me udhëzimet e specialistëve të Spitalit Rajonal në Pejë. Sipas dosjes shëndetësore për trajtimin e të privuarve nga liria me datë 12 .05. 2017 është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë , reparti i kirurgjisë vaskulare ku i është nënshtruar një operacioni. Më 04.07. 2017 udhëzohet në Emergjencë në S.R. në Pejë ku pulmologu konstaton problem të theksuara në mushkëri.
Më 6.07.2017 është konsultuar pulmologu, kirurgu dhe kardiologu dhe deti sa ka vdekur është administruar terapia e nënshkruar nga këta specialistë. Më 11 .07.2017 i është përkeqësuar gjendja dhe është dërguar për trajtim në S.R. në Pejë. Si pasojë e përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore , i dënuari F.B. ka ndërruar jetë më datën 4 .08.2017 në ora 22.25.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut që ka mandat të monitorimit të qendrave të ndalimit ( stacioneve policore ), Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese , i mbështetur nga KFOS , ka takuar të ndjerin F.B. gjatë vizitave monitoruese sikur që ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve me të cilin ka bashkëpunim shumë të mirë sikur edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës që menaxhon sistemin e paraburgimit dhe të ate korrektues në Kosovë , dhe nga këto dy shërbime ka kërkuar angazhim për trajtimin e këtij rasti dhe rasteve tjera .
Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës , në kuadër të kapaciteteve profesionale dhe detyrimeve ligjore e bëjnë angazhimin maksimal që t’u ofrojnë kushte për trajtim shëndetësor personave të privuar nga liria siç ishte rasti në fjalë kur disa herë ishte dërguar për trajtim shëndetësor jashtë objekteve të burgjeve mirëpo këto shërbime janë të pafuqishme kur vendoset që për arsye shëndetësore (diagnozave terminale që kryesisht përfundojnë me fatalitet ) të merret vendimi për pezullim të vuajtjes së dënimit. Këtë të drejtë e ka një komision gjyqësor i cili , për shkak të vëllimit të madh të punës , rastet i trajtojnë me vonesë të madhe . Kështu , ndodhë që i dënuari të vdes dhe nuk ka përgjigje për pezullim të dënimit ndonëse kanë informacione të sakta për seriozitetin e gjendjes shëndetësore të të dënuarve që duhet të trajtohen me urgjencë .
KMDLNj është i vetëdijshëm se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk kanë më shumë mundësi të bëjnë për shëndetin apo trajtimin e personave të privuar nga liria por është i shqetësuar thellësisht me neglizhencën e atyre që vendosin për pezullimin e përkohshëm të dënimit , për shkaqe shëndetësore dhe kërkon përgjegjësi nga komisioni që vendosë për marrjen e vendimit për pezullim sikur që kërkon që edhe puna e këtij komisioni të monitorohet duke u krijuar kushtet për një transparencë që siguron përgjegjshmërinë gjatë marrjes së vendimeve. Nuk është ky rasti i vetëm që një i burgosur vdes duke kërkuar mëshirë për gjendjen shëndetësore sikur që KMDLNj alarmon se janë edhe së paku katër raste që kanë kërkuar pezullim të dënimit për shkaqe jashtëzakonisht të përkeqësuar shëndetësore e të cilat mund të përfundojnë me fatalitet nëse nuk merret një vendim.
Sigurisht se pezullimi i dënimit nuk garanton se një të dënuari mund t’i shpëtohet jeta mirëpo duhet të kuptohet se një i dënuar me një diagnozë terciare duhet ta ketë të drejtën të vdesë në rrethin familjar apo duhet t’i jepet mundësia të kërkojnë shërim të cilin sistemi aktual shëndetësor i burgjeve , në raste të caktuara as ai publik nuk janë në gjendje të ofrojnë mundësi për trajtim shëndetësor ! Trajtimi diskriminues i atyre që në mungesë të fuqisë politike dhe materiale ka ndikuar që ata që nuk kanë përkrahje , trajtohen me vonesë e që ndikon sidomos te vendimet për pezullim të dënimit . KMDLNj e kundërshton këtë qasje gjatë trajtimit duke kërkuar që të gjithë të dënuarit të trajtohen sipas ligjit , pa u diskriminuar dhe në përputhje me gjendjen e tyre shëndetësore. KMDLNj e rithekson edhe një herë domosdoshmërinë e ndërtimit të një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës sikur qe e kanë edhe vendet e rajonit. Neglizhenca e komisionit për pezullim të dënimit si dhe trajtimi diskriminues i shkakton shumë probleme Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve të Kosovës.
© KOHA