Labi: Mezi po pres ta shoh Haradinajn kryeministër

Vota e Labinot Tahirit pritet të shkojë për Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn. Tahiri është nxjerr prej Adem Grabovcit të enjten e kaluar nga një dasmë në Drenas. Për më shumë së gjysmë ore ata kanë biseduar për votën e tij. Tahiri ka thënë për Insajderin se mezi po pret ta shoh Ramush Haradinajn kryemistër.

Grabovci nxjerr Labin nga dasma – i kërkon votën për Veselin e Haradinajn

Binak Gashit i është ndërprerë kënga e Labinot Tahirit të enjten e kaluar për më shumë së gjysmë ore. Këngëtari që kishte zgjedhur për të kënduar në dasmën e të birit, Isufit kishte angazhime politike.

Labinot Tahiri tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës ka lënë mikrofonin për më shumë se gjysmë ore për të negociuar me Adem Grabovcin.

Grabovci kishte dy kërkesa për këngëtarin turbofolk: ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn për kryeministër.

Insajderi ka mësuar së të enjten më 4 gusht në ora 21 e 15 është shfaqur në restorantin “Nobel” në Drenas në dasmën e Binak Gashit nga Klina ku ka takuar deputetin e AKR-së që është në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, Labinot Tahirin nga i cili po kërkohet që të votojë për koalicionin PAN.

“Labinot Tahiri ka qenë duke kënduar kur ka ardhur Adem Grabovci. Grabovci e ka nxjerr Tahirin nga dasma dhe kanë dalë jashtë për të biseduar. Në bisedë i është kërkuar që ta votojë Veselin e Haradinajn”, ka thënë një burim nga kjo dasmë.

Tahiri e ka konfirmuar takimin me Grabovcin dhe kërkesën e tij për ta votuar Veselin dhe Qeverinë Haradinaj. Ka thënë se mezi po pret që ta shoh Haradinajn duke udhëhequr Qeverinë e Kosovës.

“Krejt këta njerëz i kam miq sepse unë kam kontribuar në atë formën tem për krahun e luftës, për shembull sa herë që ka pas protesta kundër Gjykatës Speciale, kur është arrestuar dikush, unë kom thirr protesta edhe i njoh, i kom miq”, ka thënë Tahiri.

“Thjesht muhabet miqësor ka qenë. Nuk më ka nxjerr kërkush prej dasmës, s’munet me më nxjerr kërkosh prej dasmës”, ka sqaruar ai.

Ai ka sqaruar se me Grabovcin kanë biseduar për çështjen e votës, por se sipas tij ai takohet edhe me politikanë tjerë.

“Kanë kërkuar veç mu taku, jom dal edhe i kom taku miqësisht, shumë korrekt ka qenë, kurgjo tjetër”, ka thënë ai. “Po, po jam taku, s’ka kurgjo të keqe nëse takohna me Grabovcin, takona me Albin Kurtin me Rexhep Selimin me të gjithë”, ka thënë ai duke saktësuar se ka qenë i vetëm në takim me Grabovcin.

Tahiri ndërkohë ka lënë të kuptohet se në seancën e ardhshme do të votojë për Veselin dhe Haradinajn.

“Krejt varet prej vullnetit qysh e kom edhe qysh i shoh interesat e institucioneve. Hala s’jom i përcaktuar. Vullneti jem është me qenë ai (Haradinaj v.j.) kryeministër edhe e di që e gjithë klasa politike kanë mu gëzu kur të bëhet ai kryeministër”, ka shtuar Labinot Tahiri.

Kësisoj, Tahiri me votën e tij bënë shumicën e thjeshtë të PAN-it për të qeverisur. Pas rreshtimit të Teuta Rugovës në krah të PAN-it, vota e Tahirit është e 61-ta e PAN-it.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme