Policia e Kosovës ka thënë se kishte pasur informacione paraprake për hyrjen ilegale të gjashtë rusëve dhe pesë serbëve në Kosovë, të martën.
Përmes një njoftimi për media, Policia ka treguar se si i zuri në pritë 11 personat që dyshohen se e kaluan ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, sot rreth orës 13:00.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se këta 11 persona kishin hyrë në Kosovë me dy vetura, të cilat ishin të regjistruara në Serbi. Policia ka thënë se ka pasur informacione paraprake për ardhjen e gjashtë rusëve dhe pesë serbëve.
“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar me datën 08.08.2017 rreth orës 13:00, përmes rrugëve operativo-hetimore kanë siguruar informacione se në lagjen e quajtur Sekiraqa në fshatin Metergof të Podujevës, pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetas serb dhe rus”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Kufitare ka deklaruar se ka ndërmarr masat e nevojshme policore duke angazhuar ekipe patrulluese të kufirit, të cilat si rezultat i punës rreth orës 13:45 në lokacionin e cekur, saktësisht tek tabela paralajmëruese e KFOR-it e cila tregon afërsinë e kufirit, kanë ndaluar dy automjete të dyshuara me targa të Serbisë.”
“Gjatë kontrollit të dy automjeteve “Mercedes” kombi ngjyrë e bardhë, janë ndaluar gjithsejtë njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror, thuhet në njoftim.