Brenda koalicionit PAN ka deputetë që mund të gjejnë mbështetje të mjaftueshme në Kuvend për t’u zgjedhur kryeparlamentar. Pasi që, nëse nuk do të jetë Kadri Veseli kandidat për kryetar të Kuvendit, besoj se janë gjasat e mëdha që koalicioni LAA, por edhe lëvizja “Vetëvendosje”, ta votojnë një kandidaturë të tillë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Korab Sejdiu, nënkryetar i AKR-së dhe deputet i koalicionit LAA.
Nënkryetari i AKR-së shpreson se kryeparlamentari të votohet të enjten (nesër) dhe më pas t’i jepet mandati koalicionit PAN që ta formojë Qeverinë.
“Nëse koalicioni PAN dështon në formimin e Qeverisë, atëherë presidenti duhet t’i kryejë obligimet dhe ta ushtrojë diskrecionin që e ka në mënyrë të arsyeshme dhe ta përcjellë mandatin tek grupi ynë parlamentar dhe te ‘Vetëvendosja’’’, shprehet Sejdiu.
Ai ka shtuar se deri më tani, përveç deputetes së koalicionit PAN, Teuta Rugova, asnjë deputet tjetër nuk ka dhënë indikacion që do të votojë pro kandidatëve të PAN-it. Megjithatë, sipas tij, deputetet janë të lirë të vendosin dhe të veprojnë të pavarur.