Lutfi Haziri, aktualisht kryetar i Gjilanit i cili rikandidon përsëri për pozitën e të parit për këtë komunë, nuk i frikësohet humbjes. Ai shprehet i bindur se do të jetë përsëri në krye të Gjilanit.
Ndonëse kishte deklaruar për të disatën herë se nuk do të jetë pjesë e garës në zgjedhjet lokale për kryetar të Gjilanit, emri i Lutfi Hazirit u bë dje publik nga kreu i LDK’së për të qeverisur edhe më tej në këtë komunë.
Haziri, i cili ka qenë në krye të këtij qyteti edhe pas luftës për një mandat, synon që këtë ta vazhdojë edhe më tutje.
S’i frikësohet asnjë kandidimi, e as atij të ish avokatit Sami Kurteshi, i cili tashmë është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë nuk i komentoj kandidimet e askujt, në këtë rast të asnjë partie politike. Procesi zgjedhor fillon më 22 shtator dhe do të përfundojë më 22 tetor sipas ligjit. Sigurisht që do ta marr sërish komunën e Gjilanit”, u shpreh kryetari aktual i Gjilanit.
Zenun Pajaziti pritet të kandidohet nga PDK-ja kurse Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë partia më e votuar në këtë Komunë në zgjedhjet e 11 qershorit, pritet të garojë me ish-avokatin e Popullit, Sami Kurteshin.
Kandidaturën për të parin e Gjilanit të Sami Kurteshit e bëri dje publike Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.
“Sami Kurteshi ka marrë besimin e aktivistëve të Gjilanit për të qenë kandidat për kryetar të Gjilanit, në zgjedhjet e 22 tetorit. Zotin Kurteshi e urojmë për rezultatin në procesin zgjedhor të brendshëm dhe i urojmë suksese edhe në garën për kryetar komune”, thuhej në shkrimin e këtij subjekti, njofton Express.
Ndërkaq, kujtojmë se para se LDK ta fitonte Komunën e Gjilanit, në krye të saj ishte Qemajl Mustafa i PDK’së për dy mandate radhazi. Pas humbjes në këtë qytet, Mustafa ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozitat dhe ka braktisur edhe PDK-në