Duket se konflikti, deri më tani vetëm në kuadër të deklaratave, mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, po agravon edhe në teren.
Edhe pse SHBA po investohet në “rrugën diplomatike”, tensioni mes dy vendeve mbetet i lartë dhe askush nuk mund të thotë më me siguri nëse do të ketë në vazhdim luftë apo paqe.
Agjencia koreano-jugore, Yonhap, duke ju referuar gazetës së Koresë së Veriut, “Rodong Sinmun”, njofton se aplikimet e popullatës civile në këtë vend për t’’u mobilizuar për luftë kanë arritur në shifrën e 3. 475 milionë njerëzve.
Mes tyre ka punëtorë, studentë, pensionistë, një masë e madhe kjo që do ta kthente luftën në një përplasje me pasoja shkatërrimtare. Duket se acarimi i Phenianit ka ardhur pas miratimit më 5 gusht të sanksioneve të reja nga Këshilli i Sigurimit në OKB. Televizioni shtetëror koreano-verior ka bërë të ditur se aplikimet janë masive dhe se të mërkurën rreth 100 mijë njerëz u mblodhën në Phenian, për të mbështetur qeverinë në qëndrimin kundër SHBA.