Partitë politike të kujdesshme me kandidatët për kryetar komunash

Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor kanë vënë në lëvizje partitë politike, për të dalë me kandidat sa të mirë që të marrin besimin e qytetarëve për të qeverisur me komunat e Kosovës.

Deri më tani partitë politike kanë bërë publik emrat e disa prej kandidatëve, por që për disa komuna ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë kandidati për kryetar.

Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar në gjashtë komuna, ku për komunën e Prishtinës ka nominuar edhe për një mandat katërvjeçar kryetarin aktual Shpend Ahmeti. Ndërsa, për komunën e Gjilanit kandidat nga kjo parti është Sami Kurteshi, për atë të Lipjanit Selatin Retkoceri, për komunën e Istogut Agron Avdijaj, për komunën e Therandës Leonard Shala, ndërsa për komunën e Vitisë Salih Salihu.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, tha për KosovaPress së kandidatët përcaktohen nga votimi i anëtarësisë në secilën komunë.

“Tek Lëvizja VV!, kandidatët për kryetar komunash përcaktohen nga votimi i anëtarësisë në secilën komunë. Deri më tani, nga ky votim është caktuar Shpend Ahmeti në Prishtinë, Selatin Retkoceri në Lipjan, Salih Salihu në Viti, Agron Avdijaj në Istog dhe Sami Kurteshi në Gjilan. Kurse, kandidaturën e ka shpallur edhe Driton Çaushi në Gjakovë. Në komunat e tjera procesi do të vazhdojë ditëve në vijim”, tha ai.

Ndonëse jo e konfirmuar si një emër potencial për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga kjo parti është Aida Dërguti. Ndërkohë që është përmendur edhe emri i Ajet Potera nga kjo parti për kandidat të komunës së Podujevës.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë ndonjë ndryshim që nga zgjedhjet e kaluara. LDK ka bërë publike emrat e kandidatëve për kryetar të 13 komunave, ku shumica prej tyre do të jenë kandidat edhe për një mandat. Kjo parti për Podujevën kandidon kryetarin aktual Agim Veliu, në Istog Haki Rugova, në Gjilan Lutfi Haziri, në Pejë Gazmend Muhaxheri, në Fushë Kosovë Burim Berisha, në Lipjan Imri Ahmeti, në Suharekë Sali Asllanaj, në Viti Sokol Haliti, në komunën e Dragashit kandidat është kryetari i degës Selim Kryeziu, në Kamenicë Shaip Surdulli, Shtime Selim Shabani, në Ferizaj Muharrem Sfarqa dhe në Novobërdë Bajrush Ymeri.

Kjo parti nuk ka bërë publik emrin e kandidatit për kryeqytetin, ku deri para katër vite kryeqyteti ka qenë bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndër emrat që janë përfolur për kandidat potencial për kryeqytetin janë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, por edhe ish kryetari i Prishtinës Ismet Beqiri, derisa i mbetet të publikoj edhe kandidatin për Prizren.

Partia Demokratike e Kosovës gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale kishte bërë publik emrin e kandidatit të saj për komunën e Podujevës, i cili do të jetë Hajredin Hyseni.

Ndërkohë që është e vetmja parti e cila ende nuk ka dal me prezantimin e ndonjë kandidati për komunat e Kosovës, dhe pse siç mëson KosovaPress-i, propozimet nga degët tanimë kanë arritur në kryesinë e këtij subjekti.

I pyetur lidhur me kandidatin për kryetar të Prishtinës, asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Muharrem Selmani ka thënë se së shpejti do të dalin me kandidatin. E, jo zyrtarisht janë përfolur emrat e Lirak Çelajt dhe Blerand Stavilecit.

“Së shpejti do ta merrni edhe këtë informacion besoj. Do të jenë duke u analizuar të gjithë kandidatët që të vijmë me një kandidaturë sa më të përshtatshme për qytetin e Prishtinës dhe do të jemi shumë serioz në zgjedhjet tona”, tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, për komunën e Obiliqit, kryetari aktual Xhafer Gashi, kurse për kryetar të komunës së Deçanit është përmendur emri i Daut Haradinaj.

E Aleanca Kosova e Re, muaj më parë ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të komunës së Ferizajt, e ku pritet të jetë tashmë deputeti i zgjedhur Labinot Tahiri.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme