Gazeta “Bashkimi i kombit”, Gjilan, korrik 1944: “Populli Kosovar ka vendos të mos i a këthejë ma shpinën shkaut!”

Ky është një nga titujt e faqes së parë të gazetës ‘Bashkimi i Kombit’ të datës 30 korrik 1944 që botohej në Tiranë. Këtu përshkruhet një ngjarje luftarake në rrethinën e Gjilanit të cilën e dërgon korrespondenti i kësaj gazete. Ky territor, sikur edhe pjesa më e madhe e Kosovës, atëherë ishin pjesë e Shqipërisë dhe qeverisej nga Tirana. Fakti i parë që vërehet në këtë korrespondencë është emri i qytetit. Qyteti është quajtur Gilan deri në fillim të viteve të 80-ta kur iu ndërrua zyrtarisht në Gjilan. Por, këtu, katër dekada më parë, figuron me emrin Gjilan dhe kjo duhet të ketë një domethënie.

Sidoqoftë, korrespondenca flet për një betejë të cilën e kishin fituar shqiptarët kundër partizanëve serbë me ç’rast kishin zënë disa robër lufte. Ndër robërit është edhe një ‘zonjushe serbe’ e cila është studente por që i është bashkuar partizanëve. Një shqiptar, i cili është zënë duke luftuar në anën e partizanëve serbë, pushkatohet për tradhëti. Robërit, sipas korrespondentit, janë trajtuar mirë. E keqja e vetme që u ka ndodhur është se njërës nga serbet e robëruara i mungojnë këpucët të cilat ia ka marrë një fshatar shqiptarë. Por, robëresha serbe nuk bëhet merak për këtë punë dhe është e gëzuar që ka mbetë gjallë dhe, e mahnitur, i lavdëron shqiptarët për mirësjellje.

Në vitin 1944 rajoni i Gjilanit ka qenë vend i betejave të përhershme në mes forcave shqiptare dhe atyre partizane serbe. Kufiri i shtetit shqiptar ka qenë i vendosur në linjën e hekurudhës Preshevë – Bujanoc të cilën shqiptarët e mbronin me sukses. Jo shumë ditë nga botimi i këtij artikulli, në njerën nga luftërat për mbrojtjen e kufirit shqiptar ka rënë edhe gjyshi im, emrin e të cilit e mbaj unë dhe kam shumë dëshirë ta kem trashëguar edhe karakterin e tij. Për shkak të rezistencës heroike të shqiptarëve të Gjilanit, kur u thye kufiri, pasoi një masakër e rëndë që kryen forcat partizane maqedono-serbe e që njihet si Masakra e Gjilanit.

Edhe një titull tjetër flet për luftën dhe për mbrojtjen e kufirit që zhvillon ‘Rinia Nacionaliste Vullnetare në frontin e Morinës’. Aty, me datën 9 korrik, vritet një luftëtarë nga Tirana i cili quhet Hamit Troplini dhe i cili para vdekjes i flet fjalët e fundit:’ M’i thuani nanës mos me më qa; hecni përpara. Rroftë Shqipnija Ethnike.’

Dy artikuj tjerë, që zënë vend më prominent, janë të Mazar Sopotit dhe Nebil Çikës, dy intelektualë të njohur të asaj kohe. Gazeta ‘Bashkimi i Kombit’ ka mbrojtur politikën e qeverisë ekzistuese. Për shkak të gjendjes së luftës, por më shumë për shkak të rrezikut të komunizmit i cili përparonte me brigadat partizane serbe dhe shqiptare, gazetën e përshkon një dozë e veçantë e propagandës.

Qëllimi i kësaj gazete ka qenë mbajtja e frymës nacionaliste atdhetare në mbrojtjen e ‘Shqipëniës Ethnike.’ Por, sa kishte efekt gazeta? Sa shpërndahej dhe sa lexohej? A vinte gazeta në Gjilan dhe qytete tjera të Kosovës dhe a lexohej? Për fat të keq është vështirë ta dijmë përgjigjen e saktë.

Sidoqoftë, artikujt e faqes së parë të kësaj gazete flasin për momente të vështira të popullit shqiptar dhe qeverisë së atëhershme shqiptare e udhëhequr nga Fiqri Dine e cila qe detyruar të binte në fund të gushtit 1944.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme