Në seancën e 24 gushtit pritet që të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Po atë ditë edhe propozohet Kadri Veseli për Kryeparlamentar nga koalicioni PAN. Kështu thotë për Express Enver Hoxhaj i PDK-së
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj shprehet i bindur se Kuvendi konstituohet të enjten e ardhshme. E bën të ditur se nuk ka kandidat tjetër për kreun e Kuvendit përveç Kadri Veselit.
“Po! Atë ditë do e propozojmë kandidatin për Kryetar të Kuvendit që është zoti Veseli dhe kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, që do të thotë bëhet konstituimi i Kuvendit”, është shprehur Hoxhaj derisa nuk ka preferuar të flas nëse i kanë siguruar numrat për seancën e radhës të gjashtën me radhë.
Kujtojmë se seancat e kaluara dështuan që të mbaheshin pasi koalicioni PAN kishte munguar. Kjo ka bërë që të mos ketë kuorum të mjaftueshëm për vazhdimin e seancës.
Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci vendosi dje në takimin konsultativ që të pranojë kërkesën e PAN-it që seanca të mbahet kur ata e kanë vendosur.
Zgjedhjet janë mbajtur më 11 qershor pasi Qeveria Mustafa u rrëzua nga Parlamenti përmes një mocionit të opozitës.