Me vdekjen e sotme në aksident trafiku që ndodhi në komunën e Podujevës, shkon në gjashtë numri i personave që humbën jetën vetëm gjatë 17 ditëve të këtij muaji.
Policia deklaron se të dhënat janë alarmuese sa i përket aksidenteve në trafik, andaj edhe numri i tiketave të shqiptuara arrin mesatarisht në 2 mijë të tilla brenda 24 orëve.
Vetëm në 17 ditshin e këtij muaji, në nivel vendi, pesë persona vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje, së paku për dy persona.
Policia deklaron se shifrat hiç më të mira nuk janë as për muajin korrik dhe gjysmën e dytë të qershorit. Për këtë arsye, ata kanë ngritur alarmin e që kjo ka sjellë edhe numër rekord tiketash të shqiptuara.
Nga e hëna deri të enjten e kësaj jave, janë shqiptuar 8 mijë e 116 gjoba trafiku apo mesatarisht nga 2 mijë tiketa për 24 orë. Ndërkohë, në total kanë ndodhur 176 aksidente pa të lënduar e në 86 të tjera u desh intervenim mjekësor.
Kjo situatë e rëndë në rrugët e Kosovës, ka bërë që me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë, të krijohet TASK Forca e cila po merret vetëm me sigurinë në trafik
Toger Bajram Krasniqi, zyrtar për media në policin e Kosovës, tha se Policia e Kosovës bën analizat dhe referuar gjashtëmujorit të parë të këtij viti, shkaktari kryesor me 18.6% i aksidenteve është manipulimi jo i sigurt me automjete, e pasuar nga mospërshtatja e shpejtësisë më 17.2% dhe e treta mosmbajtja e distancës ndërmjet automjeteve me 15.2, njofton rtklive.
Policia deklaron se krahasuar me muajin gusht të vitit 2016 kur kishin shqiptuar për 17 ditë, 16 mijë gjoba trafiku, për periudhën e njëjtë gjatë këtij viti janë shqiptuar 32 mijë të tilla.