Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se bllokimi institucional, i cili sipas tij po e dëmton Kosovën, së brendshmi por edhe ndërkombëtarisht, ka një fajtor: PAN.
Kurti tha se koalicioni PAN po keqpërdor një prerogativ që ia ka garantuar një vendim, sipas tij i gabuar i Gjykatës Kushtetuese.
“Duke mos pranuar të paraqitet në seancat e Kuvendit dhe duke mos e emëruar një kandidat për Kryesinë e Kuvendit ata po bllokojnë Kosovën dhe po e gërryejnë demokracinë e saj”, ka shtuar Kurti në një postim në profilin e tij në “Facebook”
Më tej Albin Kurti thotë se e di pse koalicioni PDK-AAK-Nisma po e bën këtë gjë. “Kjo ndodh për shkak se u mungojnë votat, qoftë për të emëruar Kryetarin e Kuvendit që ata kanë dëshirë, qoftë për të formuar qeveri”, vlerëson ai.
Përballë kësaj “talljeje arrogante dhe të papranueshme”, Kurti thotë se përfaqësuesit e tjerë të qytetarëve të Kosovës kanë një detyrë ndaj vendit që ti japin fund kësaj situate dhe mund t’i japin fund.
Më tej ai shpjegon se si mund të bëhet kjo.
“Teksti i Kushtetutës i atribuon të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit “grupit më të madh parlamentar”. Ky rregull duhet respektuar. Por së pari ai duhet kuptuar. Dhe nuk ka dyshim se ajo çka do të thotë shprehja në Kushtetutë është “secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit”, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq. Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime”, ka theksuar Albin Kurti.
“Është e vërtetë se në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese i dha një lexim tjetër këtij rregulli. Është po ai lexim që po ia lejon PAN-it që ta bllokojë Kosovën duke bojkotuar seancën konstituive të Kuvendit. Por ai lexim është qartazi i gabueshëm, dhe kjo mund të dëshmohet”, shton ai.
Prandaj, sipas tij, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës.
“Kjo do të thotë se, kur të mblidhet Kuvendi, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre. Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja Vetëvendosje”, ka shkruar ai.
Së këndejmi, shton Kurti, Lëvizja Vetëvendosje i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që t’i bashkëngjiten në këtë nismë.
“Konkretisht, propozojmë që ne deputetët pjesëmarrës të rregullt të seancës konstituive të përzgjedhim një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht. Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë”, thekson Albin Kurti.