Kreu në detyrë i ekzekutivit, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria nuk bëhet duke u varur nga Lista Serbe dhe, siç ka thënë ai nga Radoiçiqat e Veselinoviqat, as me kumari me ta dhe me krimin.
Sipas tij, Kosovës i duhet një qeveri me shumicë shqiptare në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk bëhet Qeveria e Kosovës me Radoiçiqat e Veselinoviqat, as me kumari me ta dhe me krimin. Kosovës i nevojitet një qeveri me shumicë shqiptare, e cila respekton plotësisht të drejtat e popullatës joshumicë”, ka thënë Mustafa.
“LDK nuk do të bashkëpunojë me ata që nuk zgjedhin mjete për të ardhur në Qeveri, por do të bashkëpunojë dhe do të bashkëqeverisë vetëm me ata të cilët nuk diktohet nga krimi dhe nga Lista Serbe për të qeverisur Kosovën”, ka shtuar më tej.
Kujtojmë se i nominuari për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj është parë të jetë takuar me Radoiçiqin. Siç është raportuar nga insajderi Ramush Haradinaj ka kërkuar mbështetje për kryeministër edhe nga njëri prej kriminelëve kryesor të veriut të Kosovës. Haradinaj, ka takuar Milan Radojiçiq – babanë e gruas se Zvonko Veselinoviqit, i hetuar një kohë të gjatë në Kosovë dhe i dënuar në Serbi. Pas burgosjes së Veselinoviqit në Serbi, kontrollin në veri të Kosovës e ka marrë Radioçiq. Radojiçiq ka qenë i dënuar për vjedhje më gjashtë muaj burgim. Ndërkohë, ishte arrestuar për kërcënim me vdekje të policëve të Kosovës.
Kujtojmë gjithashtu se Isa Mustafa, fare në fillim të mandatit të tij qe detyruar ta shkarkojë Aleksandar Jabllanoviqin nga posti i Ministrit për Kthim dhe Komunitete, pas protestave që plasën kur ky i ofendoi nënat gjakovare që s’e dinë ende se ku i kanë trupat e familjarëve të tyre të zhdukur gjatë luftës.