Të befasuar me qëndrimet e LDK-së janë shprehur në Lëvizjen Vetëvendosje.
Kërkesat e partisë së Isa Mustafës, përfshirë vetë atë që të kërkohet falje për veprimet e kaluara të Vetëvendosjes, sipas kësaj partie janë të pasinqerta, raporton KTV.
Anëtari i kryesisë dhe deputet i VV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se ata kanë qenë të fokusuar që në këto bisedime të diskutohet për çështje të përafërta ndërmjet tyre.
Kurteshi ka shtuar se çështja e dosjeve që Komuna ka dërguar në Prokurori për udhëheqjen e Prishtinës, sa atë e drejtonte Isa Mustafa, janë çështje të drejtësisë, në të cilat ata nuk mund të përzihen.
Sipas Vetëvendosjes, me këto deklarata, LDK-ja po dëshmon se nuk është e interesuar për bashkëpunim dhe krijim të institucioneve.
Javën e fundit, zyrtarë të LDK-së, përfshirë kryetarin e saj, kanë dhënë shumë deklarata publike se si Vetëvendosje do të duhej të kërkonte falje për veprimet e saj në kohën e Mustafës kryeministër.
Ky, sipas tyre, do të ishte një kusht fillestar që të mund të niste ndonjë bashkëpunim ndërmjet tyre, në përpjekje për krijimin e shumicës parlamentare në Kuvend.
© KOHA.