Sulmi me thikë që ndodhi dje pasdite në qytetin Turku në jug perëndim të Finlandës ku mbetën të vrarë dy persona është një akt terrorist, deklaron policia finlandeze.
Ata deklarojnë se sulmuesi i cili u qëllua në këmbë nga policia dhe është arrestuar është një 18 vjeçar maroken.
Dy viktimat ishin shtetas finlandezë, ndërsa 8 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre dhe dy shtetas suedezë dhe një italian.
Policia ka ndërmarrë një operacion duke kryer disa arrestime gjatë natës.
“Fillimisht hetimet ishin për një vrasje, por gjatë natës kemi marrë informacione shtesë që tregojnë se është një sulm terrorist” thuhet në deklaratën e policisë finlandeze.
Ndonëse ende nuk konfirmohet zyrtarisht, disa media lokale shprehen se pasi ka kryer aktin, autori ka thirrur “Allahu Ekber”.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në zonën e sheshit “Puutori-Market”. Pamjet nga vendngjarja tregojnë trupin e pajetë të një prej viktimave të mbuluar me çarçaf të bardhë.