Një valë dorëheqjesh e ka përfshirë Partinë Demokratike (PDK). Në prag të zgjedhjeve lokale, traumat më të mëdha është duke i përjetuar nëpër bastione, përfshirë Skënderajn e Drenasin, por edhe në komuna të tjera ku është forcë kryesore.
Të premten PDK-në e ka braktisur edhe Ramë Buja, një nga themeluesit e kësaj partie që, prej pasluftës, vetëm në një mandat nuk ka qenë pjesë e Qeverisë. Deri tash Buja ishte anëtar i Kryesisë së partisë. Në mandatin e shkuar ka qenë ministër i Arsimit, kurse më herët edhe kryetar i Grupit parlamentar të PDK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dorëheqjen e pakthyeshme ia ka deponuar me shkrim Kryesisë së PDK-së.
“Arsyet janë objektive dhe të shumta e të shumëkohshme, që nuk dua t’i përmend në këtë rast, por vetëm t’ju bëj me dije se këtu pushon angazhimi im në kreun e kësaj partie, ku isha njëri nga themeluesit e saj, dhe në të cilën investova mundin dhe përpjekjet e vazhdueshme, pothuajse dydekadëshe, dhe ku tani nuk më mbeti më vend as hapësirë për veprim e kontribut”, ka shkruar Buja në letrën e dorëheqjes.
“Degradimi që po ndodh (qofsha i gabuar) do ta trazojë e çorientojë akoma më shumë këtë subjekt politik, nëse nuk i vihet digë penguese së keqes dhe degjenerimit politik në vazhdim, gjë në të cilën kam humbur besimin përfundimisht”.