“Jemi mbledhur sot këtu afër Komunës së Prishtinës, e cila nën qeverisjen e Shpend Ahmetit, gjatë tërë këtyre vjetëve, më shumë i ka shërbyer partisë Vetëvendosje se qytetarëve të Prishtinës, për të protestuar për keqmenaxhimin e taksave tona si qytetarë. Ashtu siç kemi dëshmuar javën e kaluar, Komuna e Prishtinës, për shkak të paaftësisë së Shpend Ahmetit për të cilin krejt e dinë që është dembel, ka bërë që qyteti jonë të mbetet pa më shumë se 100 milionë euro investime”, ka thënë Donika Mustafa nga Rinia Demokratike.
Mustafa ka thënë se kur Kryetari i Prishtinës dështon t’i realizojë mbi 100 milionë euro investime që vetë i ka planifikuar, atëherë nuk ka si të quhet ndryshe përveçse kryetar dështak dhe mashtrues, i cili di vetëm të aktrojë dhe jo të punojë.
“Me këto 100 milionë euro të humbura, minimalisht do të mund të investohej në këto 47 projekte që i kemi radhitur këtu, të cilat qytetarëve të Prishtinës do t’ua lehtësonin shumë edhe mënyrën e jetesës nëpër lagjet e tyre. Partia Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti, përplot 4 vjet nuk kanë qenë në gjendje ta ndërtojnë asnjë shkollë të re, asnjë vend parkimi të ri, e mos të flasim për parqe, stadiume, qendra kulturore apo banesat sociale, që i kishte premtuar. E kurrsesi pastaj edhe për vende të reja të punës për rininë tonë. Madje, nuk kanë qenë në gjendje ta rregullojnë as këtë plato të dëmtuar që disa vjet këtu”, ka thënë Mustafa.
Duke llogaritur vlerat e përafërta, me 100 milionë euro të humbura, qeverisja e dështuar e Vetëvendosjes në Prishtinë, të cilës çdo vit i mbesin miliona euro suficit duke mos ditur as ku të investojnë dhe as si të planifikojnë, sipas të rinjve të PDK-së së Prishtinës, për qytetarët në lagjet e tyre dhe për komunën e Prishtinës në përgjithësi, do të mund të ndërtonte minimalisht 5 shkolla, 5 biblioteka, 10 çerdhe, 5 parkingje me 2500 vende parkimi, 10 parqe gjelbëruese dhe rekreative, 2 stadiume me standarde evropiane, 3 palestra sportive, 5 qendra kulturore, 500 banesa sociale dhe do të mund të krijonte edhe rreth 10 mijë vende pune për të rinjtë e Prishtinës.
“Pra, Shpend Ahmeti është një dështak, i cili më shumë merret me çështje që fare nuk u përkasin prishtinasve, se që merret me problemet reale të Prishtinës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Mustafa.
Ajo ka shtuar se tash është e qartë për të gjithë se Kryetari i Prishtinës me taksat e prishtinasve thjesht i ka shërbyer vetëm partisë së tij dhe jo qytetarëve, të cilëve do duhej t’i shërbente.
Mustafa ka thënë se Partia Demokratike e Prishtinës e ka dëshmuar se edhe ato pak investime që i ka bërë Kryetari i Prishtinës, rreth 3 milionë euro prej tyre i ka çuar drejtpërdrejtë në kontot e militantëve të Vetëvendosjes, kurse dhjetëra milionë euro të tjera në kontot e kompanive të afërta me Vetëvendosjen, të cilave u ka dhënë punime gjatë gjithë këtyre vjetëve në Prishtinë./Lajmi.net/