AKR: Nuk kemi vota për PAN-in

Aleanca Kosova e Re insiston për një qeveri gjithëpërfshirëse ose një qeveri me shumicë shqiptare të përbërë nga Vetëvendosje dhe koalicioni LAA.

Zyrtarë të kësaj partie thonë se ata nuk do të përkrahin koalicionin PAN dhe se do të vazhdojnë të jenë pjesë e koalicioni me LDK –në dhe Alternativën.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë për lajmi.net se ata janë unik dhe se nuk e përkrahin koalicionin PDK-AAK-Nisma.

“Ne i qëndrojmë besnik  koalicionit, ne jemi unik dhe nuk do ti japim votën PAN-it. Nuk ka negociata me PAN-in”, ka thënë Makolli për lajmi.net.

AKR është përfolur se do të përkrahë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kryeministër nga koalicioni PAN, e për këtë ka pasur edhe deklarata kundërthënëse edhe mes zyrtarëve të kësaj partie.

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri me anë të një postimi në facebook, ka thënë se AKR ka marr vendim që mos ta përkrahë PAN-in. Po të mërkurën kryetari i Komisionit Zgjedhor në AKR, Fatmir Matoshi, ka thënë se nuk ka asnjë vendim dhe se kjo parti “ka një vendim që kërkon me u zhbllokua situata dhe me u gjet zgjidhje”, ka thënë ai.

Ndërsa, sekretari Makolli thotë se AKR e sheh si zgjidhje formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, por nëse kjo nuk ndodh atëherë duhet formuar një qeveri me shumicë shqiptare nga VV dhe LAA.

“Ne jemi për një qeveri gjithëpërfshirëse, por nëse kjo nuk ndodh, ne do  jemi pjesë e koalicionit dhe mendojmë se LDK dhe VV duhet ta bëjnë një marrëveshje mes vete dhe të krijojmë një shumicë shqiptare dhe t’ia dëshmojë edhe Presidentit që kemi shumicën dhe ta formojmë  Qeverinë”, është shprehur Makolli për lajmi.net.

Madje ai ka thënë se “PDK duhet të bëhen burra të heqin dorë dhe të shkojnë në opozitë”, është shprehur Makolli.

Javë më parë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli u kishte dhënë një ultimatum prej 10 ditëve VV-së dhe LDK-së, që të arrijnë një marrëveshje për ta formuar qeverinë, në të kundërtën ai do të ndryshonte pozicionim sa i përket formimit të institucioneve.

Kjo deklaratë e Pacollit ishte parë si shenjë që ai mund ta mbështesë PAN-in, zyrtarët të së cilit ishin shprehur se kanë vonuar formimin e institucioneve për ti dhënë kohë Pacollit.

Por deklaratat e së mërkurës të  zyrtarëve të AKR-së, për mos mbështetje të PAN-it kanë bërë që mbajtja e seancës së 24 gushtit, në të cilin nga koalicioni PDK-AAK-Nisma kishte thënë se do të marrin pjesë të vihet në dyshim. Këtë e ka thënë edhe i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj./Lajmi.net/

Deri më tani janë mbajtur pesë seanca konstituive të Kuvendit, në të cilat nuk është zgjedhur kryetari e as nënkryetarët e Kuvendit./Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme