Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë hyrë në fazë të ndjeshme të bisedimeve për bashkëpunim eventual në prag të zgjedhjeve lokale ku ato do ta ndihmonin njëra tjetrën në komuna të caktuara. Mirëpo, derisa Ziadin Sela nuk ka hezituar në një konferencë për media që ta shpreh përkrahjen e tij për kandidatin e BDI – së në Kërçovë, në raport me Lëvizjen BESA është shfaqur më i rezervuar. Por, Sela nuk ka përjashtuar mundësinë e një rikandidimi të ri në Komunën e Strugës, qytet të cilin e udhëhoqi para se të fitonte mandatin e deputetit. Në një konferencë për media Sela nuk e ka anashkaluar këtë mundësi, njofton portali Sakte.net
Ndërkohë, në opinion ka filluar të përflitet edhe kandidatura e mundshme e kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami për Tetovën. Burime brendapartiake nuk e kanë përjashtuar një mundësi të tillë, mirëpo nuk kanë qenë të gatshëm ta konfirmojnë pasi që ka mbetur edhe disa ditë deri tek dorëzimi i listave me kandidatë.
Në rast të kandidimit të dy liderëve për kryetar komunash, vëmendja do të përqëndrohej tek këto dy komuna, në Strugë respektivisht në Tetovë ku pos të tjerash do të mateshin edhe forcat e këtyre dy udhëheqësve politik. Një marrëveshje eventuale midis Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët do ta vinte në sprovë zbatimin e saj në praktikë pasi që pasi që të dy partitë nuk është larg mendsh se do të taktizonin për të fituar kandidati – kryetari i tyre dhe të pësonte tjetri. Kjo për faktin se fitorja e njërit apo tjetrit kandidat do ta betononte edhe forcën e tij politike, si dhe do ta konfirmonte në pozitën e liderit.
Përndryshe, zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen me 14 tetor./Sakte.net