Behgjet Pacolli, lideri i AKR-së, ka braktisur koalicionin parazgjedhor me LDK-në e me Alternativën dhe i është bashkuar koalicionit PAN për t’ua mundësuar Kadri Veselit të zgjidhet kryeparlamentar e Ramush Haradinajt kryeministër. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore ai kishte akuzuar rëndë drejtuesit e PAN-it, akuza këto që duket se i harroi ditën e djeshme kur vendosi ta nënshkruajë marrëveshjen e koalicionit për formimin e Qeverisë me “keqmenaxhuesit dhe të korruptuarit”, transmeton zeri.info.
Behgjet Pacolli, lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), i ka dhënë fund dje koalicionit parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e me Alternativën dhe i është bashkuar koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) për formimin e institucioneve qendrore të vendit.
Pacolli dje pasdite në rezidencën e tij e ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me PAN-in, ndonëse vazhdimisht gjatë fushatës së fundit zgjedhore dhe pas saj kishte thënë se partia e tij ka “vija të kuqe” për koalicion me liderët e PAN-it, të cilët i kishte quajtur vazhdimisht keqmenaxhues dhe të korruptuar.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje Pacolli ka deklaruar se qytetari, shtetndërtimi i Kosovës ka qenë interesi, i cili ka bërë që AKR-ja të nënshkruajë marrëveshje me PAN-in për të qeverisur me vendin, transmeton zeri.info.
“Kemi sfida për t’i tejkaluar, të cilat do të tejkalohen me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë. Jam i bindur se do të kemi harmoni me kryeministrin Haradinaj”, ka deklaruar Pacolli.
Ndërsa shefi i PDK-së, Kadri Veseli, njëherësh kandidat i këtij koalicioni për kryetar të Kuvendit, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Pacollin i ka siguruar qytetarët se do të punohet për të mirën e vendit, derisa ka treguar se është vetëm çështje ditësh se kur do të formohet Qeveria me mandatar Ramush Haradinajn.
“Është një marrëveshje për qytetarët e Kosovës për orientimin tonë perëndimor e perspektivën e punësimit për të rinjtë tanë dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve tanë. Ky koalicion është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të punojmë bashkërisht. Është çështje ditësh se kur do të formohen institucionet. Do të kemi një vendim që do të jetë i shpejtë dhe s’do të ketë vonesa”, është shprehur Veseli, transmeton zeri.info.
I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky bashkim i mundëson Kosovës një nisje shumë të nevojshme me një parti që sjell vlera, siç është AKR-ja.
“E kemi një nder të mirë sepse këtij koalicioni dhe besimit për t’i formuar institucionet e vendit i është bashkuar një parti e re që sjell vlera të reja e që është AKR-ja, por po ashtu që është më me rëndësi vetë roli i presidentit Pacolli këtu. Ky bashkim i mundëson Kosovës një nisje shumë të nevojshme, përgjegjësitë ne i kemi organizuar në bazë të specifikave dhe në bazë të vlerave që sjellim në qeverisje. Jemi të vetëdijshëm dhe besoj shumë që së bashku do t’ia dalim. Më në fund Kosova u nis, vonesat kanë qenë shumë të rënda”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se nga ky moment mund të llogaritet që ka nisur ndërtimi i institucioneve që, sipas tij, është një lajm i shumëpritur nga qytetarët e Kosovës.
“Nga sot po i bashkohet vullnetit të qytetarëve të Kosovës AKR-ja, nga sot ky koalicion tregon se Kosova ka një shumicë të konsoliduar që përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Nga ky moment mund të llogaritet që është fillimi i ndërtimit të institucioneve, që besoj se është një lajm i shumëpritur nga qytetarët e Kosovës. Besoj se jemi aty ku duhet të jemi, jemi partnerë që e njohim mirë njëri-tjetrin dhe jemi aty ku duhet të jemi”, ka thënë Limaj pas marrëveshjes së nënshkruar.(Lexoni shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri)