Edhe pse komentohet ende se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pasur influencë të madhe në bërjen e numrave të PAN-it, megjithatë ai nuk është parë aktiv duke punuar në këtë drejtim, përveç disa takimeve sporadike me krerë të PAN-it që janë raportuar në media.
Por, nga marrëveshja e sotme mes PAN-it e AKR-së, ku AKR-ja fitoi 5 poste ministrore me 4 deputetë e disa postë të zëvendësministrave, Thaçit nuk i kanë pëlqyer të gjitha pikat.
Siç merr vesh Periskopi nga burime të afërta me të, Presidenti Thaçi nuk është dakord me pikën e marrëveshjes ku liderit të AKR-së i premtohet posti i presidentit pas përfundimit të mandatit të tij.
Ky burim thotë se asnjë prej krerëve të PAN-it nuk është konsultuar me Presidentit Thaçi lidhur me këtë pikë të marrëveshjes, kur dihet se Hashim Thaçi ka shprehur ambiciet e tij që të jetë president edhe për një mandat.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, Thaçi duket se nuk e ka ndërmend të rri i qetë. Periskopi kupton se ai mund të bëhet destruktiv në raport me koalicionin PAN dhe AKR.
“Për shkak të lidhjeve të tij të mira me presidentin serb Vuçiq, ai mund të përpiqet që ta influencojë Listën Serbe që të largohet nga koalicioni PAN, çka mund të rezultojë me mungesë numrash”, thotë ky burim.
Më herët, edhe portali i afërt me stafin e presidentin dhe vet presidentin (www.lajmi.net) ka raportuar se Lista Serbe tashmë ka kërkesa e kushte të reja.
Sipas raportimit të portalit, Lista Serbe po kërkon më shumë poste në qeverinë e re.
Periskopi ka kontaktuar edhe me njohës të rrethanave politike lidhur me mundësitë që Thaçi të luaj rol desktruktiv në këtë mes përmes Listës Serbe, por, në kushte anonimiteti, ata kanë preferuar të vlerësojnë se Lista Serbe mund të jetë e influencuar kryekëput nga Presidenti Thaçi.
Ka disa orë që është nënshkruar koalicioni PAN-AKR, ndërsa Presidenti Thaçi nuk ka reaguar ende në formë zyrtare pas koalicionit që mendohet se ia siguron numrat partisë që e drejtonte dikur. /Periskopi/