Vëllai i Fadil Kasemit, për vrasjen e gjyqtares: E shkolloi dhe ia mbante familjen, ajo pastaj tallej me të!

Vrasja nuk justifikohet. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Por, vëllai im vrau nënën e fëmijëve të tij, pasi doli nga vetja për shkak të saj, thotë Eduart Kasëmi.

Sipas tij, Fadili bëri gjithçka për Fildeze Hafizin. Ai mundësoi që ajo të bëhej drejtoreshë kopshti, investoi për arsimimin e saj, për gjithë të afërmit e saj.

Sipas tij, ai bëri çdo gjë për familjen e tij dhe ndiente se fëmijët po i largoheshin dhe për këtë gjë fajësonte ish-bashkëshorten.

“Çdo gjë që ka, ua ka lënë në testament fëmijëve. Deri dje ata fëmijë me babën ishin duke u puthur dhe sot tregojnë që iknin të mërzitur nga ai. Kush i bën këto gjëra? A janë ata që flasin kështu, apo janë të ndikuar?”, thotë ai.

Fadili në kohën e komunizmit ka qenë magazinier, ndërsa në vitet’90 ka qenë ndër të parët që ka ikur me anije në drejtim të Italisë. Për vite me radhë atje ka punuar në ndërtim. Më pas u mor me tregti.

“Ne jemi me origjinë çame, jemi gjashtë vëllezër dhe shtatë motra. Çdokush nga ne mund të binte në humnerë, por ai jo”, thotë ai vëllai, i cili tregon se si është njohur Kasëmi me Fildeze Hafizin. “Kur e njohu ish-bashkëshorten, ajo jetonte në Shkodër. E mori në Tiranë bashkë me vjehrrin, vjehrrën, kunatën dhe gjyshen e saj. I gjeti shtëpi këtu afër Xhamllikut, në mënyrë që të ishin afër me gocën dhe qiranë ia paguante Fadili, pasi ata nuk kishin mundësi ekonomike. I ati i të ndjerës punonte roje në spital dhe nuk e përballonin dot ndryshe jetesën”.

Fildëzi në fillim punonte edukatore kopshti e më vonë u bë drejtoreshë.

“Më pas investoi në arsimimin e saj. E regjistroi në shkollë për Juridik duke i bërë edhe magjistraturën. Ai ka investuar çdo gjë për atë. Ajo postin gjykatëse e mori prej tij dhe në fund e divorcoi tim vëlla dhe nuk mjaftoi vetëm kjo, por shpesh tallej dhe thoshte poshtë e lartë: ‘ç’më gjeti me këtë’. Por, njeriu duhet ta kthejë kokën mbrapa, të kuptojë nga ka ardhur”, thotë ai. “Ai nuk e vrau për post pune, sepse shoh që të gjithë përmendin postin e gjykatëses, por krimin nuk ndodhi sepse ky ishte klient i saj apo sepse kishin përplasje që vinin nga një gjykim në punë. Krimi ishte brenda në familje. Ndodhi për shkaqe të brendshme dhe nuk ka pse të përmendet posti i saj. Nuk ka kuptim”. /GSH/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme