Kadri Veseli, i njohur me nofkën e luftës “Luli”, është rizgjedhur dje në krye të Kuvendit të Kosovës. Por, për dallim nga mandati i parë kur kishte marrë 74 vota të deputetëve, ai dje mezi arriti t’i sigurojë 62 sosh. Zvogëlimi i fuqisë politike të ish-kreut të SHIK-ut nisi më 11 qershor kur PDK-ja nën drejtimin e tij pësoi tkurrjen më të madhe në historinë e saj. Për ta marrë epitetin e kryeparlamentarit, pas dështimit për shtatë herë me radhë, atij i janë dashur votat e deputetëve serbë, shkruan sot Gazeta “Zëri“
Nisi më 3 gusht, ndërkaq përfundoi tek dje, më 7 shtator. Tentimi i tetë me radhë për ta finalizuar seancën konstituive gjatë ditës së djeshme kurorëzoi liderin e PDK-së, Kadri Veseli, me epitetin “Kryeparlamentar”.
Veseli ndonëse edhe në legjislaturën e kaluar ishte në këtë pozitë, nuk e pati fare të lehtë që të rikthehet në krye të Kuvendit, shkruan tutuje “Zëri“.
Përkundrazi, u bënë gati 3 muaj qysh prejse koalicioni PAN nisi luftën për sigurimin e votave dhe shpëtimtari i tij, më në fund, u bë AKR-ja e Behgjet Pacollit (pasi u shkëput nga koalicioni me LDK-në dhe me Alternativën) dhe votat e deputetëve të Listës Serbe.
Kështu me 62 vota pro dhe 52 kundër kreu i PDK-së rimori edhe një mandat në krye të Kuvendit, shruan “Zëri“.
Ndërkohë seanca e së enjtes, e thirrur për herë të dytë dje, zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e kësaj legjislature.
Ndërkaq, ndryshe prej Veselit, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, pritet të zgjidhet në seancën e paralajmëruar për nesër