Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një sfidë të madhe, me sigurimin e pensioneve për veteranët e luftës, numri i të cilëve është rritur përtej mundësive buxhetore.
Ata për muajin që shkoi kanë marrë vetëm nga 50 euro, pasi që Qeveria në largim nuk ka pasur mjete për t’i paguar ata pasi që rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet nga institucionet e përkohshme, transmeton ksp.
Ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress thotë se momentalisht çështja e veteranëve është e ngrirë , pasi që nuk ka mjete për ta dhe se këtë obligim e ka Qeveria e re.
Ai sqaron edhe të gjithë situatën për buxhetin për pensionet e veteranëve të luftës.
“Buxheti i ndarë për veteranët për vitin 2017 ka qenë 38 milionë euro dhe pagesat janë bërë me rregull me përjashtim të muajit të fundit, për shkak se tash numri i veteranëve ka mbërri mbi 33 mijë e 178. Ka qenë një vendim i përbashkët që e kemi marrë në Zyrën e Kryeministrit së bashku me Ministrinë e Punës , Shoqatat iu kemi ndarë 1.7 milion euro sa ka qenë mbetja në mënyrë lineare gjithë veteranëve edhe me këtë është përmbyll buxheti që është ndarë. Për të plotësuar nevojat tjera që janë këtë vit edhe për shkak të mos funksionimit në kohë të Komisionit për riklasifikim nevojiten edhe diku rreth 27-28 milionë euro . Këto mjete tani për momentin nuk janë për veteranët . Por Qeveria në momentin që vjen edhe Kuvendi të bëhet funksional , ata kanë mundësi ta rishikojnë ligjin për Buxhet edhe Ligjin për veteranët në mënyrë që ta plotësojnë këtë kërkesë ose mi nusin që është sivjet që të vazhdohet të jetë funksional Komisioni për riklasifikim në mënyrë që me qenë brenda rregullativës dhe brenda marrëveshjes me FMN-në”, tha Krasniqi.
Ai thotë se Komisioni duhet të formohet dhe të bëhet klasifikimi i listave në mënyrë që veteranët të mos mbesin pa pensionet e tyre pasi që ata nuk janë fajtorë për situatën e ndodhur.
Në lidhje me këtë çështje Krasniqi shpreson se do të gjendet një mirëkuptim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se Qeveria e re duhet t’i rishikojnë ligjet e lartpërmendura të klasifikojnë listat, ose në të kundërtën duhet të gjejnë fonde për veteranët.
“Besoj që në çdo variant, cili do që të jetë vendimi për çështjen e veteranëve fondet mund të gjinden. Po është mirë të përfundojë ky proces për arsye që ky proces do të ketë ndikim jo vetëm këtë vit por edhe vitin e ardhshëm…. Nëse duam të jemi brenda objektivave me FMN-në me programet që i kemi harmonizuar me ata duhet shpejt me u bërë këto dy veprime në mënyrë që së paku në buxhetin e vitit 2018 me qenë një buxhet i qëndrueshëm duke i përfshirë edhe veteranët . Nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe FMN-ja duhet me ta kuptojë. Por në rast se nuk ndodh riklasifikimi, Qeverisë i mbetet ta plotësojë kërkesat që janë ligjore. Pavarësisht po themi tani obligimeve me FMN-në e që besoj edhe për këtë do të gjendet një mirëkuptim”, tha Krasniqi.
Ndryshe, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë në detyrë, është diskutuar për mungesë buxheti për veteranët e që kryeministri në detyrë ka thënë se kjo çështje duhet të rregullohet së shpejti në mënyrë që veteranët të mos mbesin pa pagat e tyre.