Me 61 vota pro dhe një abstenim, dje Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re në krye me Ramush Haradinajn.
Në seancën e cila nisi në ora 16:00 dhe zgjati deri në mbrëmje, u prezantua edhe kabineti i ri qeveritar, në të cilin pati disa emra të rinj.
Por, çfarë profesione kanë ministrat e qeverisë Haradinaj?
Pesë nga ministrat në qeverinë Haradinaj me profesion janë ekonomistë, kurse në qeveri ata do të udhëheqin dikastere të ndryshme, shkruan lajmi.net
Ministrinë e Ekonomisë do ta udhëheq Valdrin Lluka i AKR-së, kurse atë të Financave ekonomisti Bedri Hamza i PDK-së.
Ekonomistë janë edhe Shyqeri Bytyçi i cili do ta udhëheq Ministrinë e Arsimit, Bajram Hasani që do ta drejtojë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Besim Beqaj që do të jetë në krye të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Në qeverinë Haradinaj do të ketë edhe dy doktor por që asnjëri nuk do ta drejtojnë shëndetësinë kosovare.
Pal Lekaj që dje u votua për ministër të Infrastrukturës, dhe stomatologia e AKR-së, Albena Reshitaj që do të jetë ministre e Ambientit dhe Planfikimit Hapësinor.
Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të jetë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili i cili ka përfunduar studimet master për Administratë Publike në Harvard.
Abelard Tahiri i cili ka përfunduar studimet në shkenca politike do të jetë ministër i Drejtësisë, kurse Dardan Gashi që gjithashtu ka kryer studimet për politikanë do të jetë ministër i Diasporës dhe Investimeve.
Dhurata Hoxha e cila mandatin e kaluar kishte udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë, kësaj radhe do të jetë në krye të integrimeve evropiane të Kosovës, edhe pse studimet në master i ka përfunduar për siguri.
Emri befasues nga PDK-ja për ministër të Kulturës ishte Kujtim Gashi, i cili një kohë kishte udhëhequr departamentin e kulturës në komunën e Prizrenit. Gashi ka përfunduar studimet për edukim.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli që ka përfunduar studimet master në Zvicër për Marketing dhe Menaxhim, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i parë në qeverinë Haradinaj.
Kurse sa i përket ministrit të ri të brendshëm , Flamur Sefaj nuk ka ndonjë informacion të saktë.
Por, mediat kanë raportuar se Flamur Sefaj jeton në Zvicër, vend edhe ku punon prej më shumë se 15 vitesh në biznesin e familjes Pacolli.
Informacione nuk mund të gjenden as për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale i cili vjen nga Nisma për Kosovën, Skënder Reçica.
Ajo që dihet është se Reçica ka qenë në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.