Kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot kujtohet 16-vjetori i 11 shtatorit 2001, i sulmeve më vrastare terroriste në tokën amerikane që u kryen nga një grup prej 19 vetash, rrëmbyes islamikë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani, transmeton zeri.info.
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit ka një lajm të mirë për gjendjen e betejës kundër terroristëve xhihadistë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë pësuar sulm të suksesshëm nga ndonjë organizatë terroriste e huaj që nga sulmi i tmerrshëm i “Al Qaeda”-s mbi Qendrën Botërore të Tregtisë dhe mbi Pentagonin.
Grupi bazë i “Al Qaeda”-s, me bazë në Afganistan dhe në Pakistan, nuk ka lansuar ndonjë sulm të suksesshëm në Perëndim që nga sulmet vetëvrasëse në sistemin e transportit në Londër më shumë se një dekadë më parë, më 2005-n, ku mbetën të vdekur 52 udhëtarë.
Grupi terrorist ISIS, që lindi pas dështimeve të pësuara nga “Al Qaeda”, tani është në masë të madhe i mposhtur, duke humbur qytetin e Mosulit, selinë në Irak dhe pjesën më të madhe të qytetit Raqqa, selinë e tyre në Siri, transmeton zeri.info.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ka vrarë gjithashtu rreth 60,000 deri në 70,000 luftëtarë të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, sipas gjeneralit Raymond “Tony” Thomas të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së gjatë një fjalimi në forumin e “Aspen Security”, në korrik.
Një muaj më vonë Brett McGurk, i dërguari i SHBA-së në koalicionin anti-ISIS, tha se ISIS-i kishte humbur kontrollin e më shumë se tre të katërtave të territorit që kishte mbajtur dikur në Irak dhe më shumë se gjysmën e asaj që kishte kontrolluar dikur në Siri.
Kërcënimi, që paraqitet nga “luftëtarët e huaj” amerikanë që kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe të cilët janë trajnuar nga ISIS-i ose nga grupe të tjera xhihadiste në Irak dhe Siri, është mjaft i ulët në krahasim me vendet evropiane. Sipas të dhënave publike, vetëm shtatë militantë amerikanë janë kthyer nga fushat e betejës siriane dhe irakiane dhe asnjë prej tyre nuk ka kryer ndonjë akt terrorizmi, transmeton zeri.info.
Ky është lajmi i mirë, por ka tendenca të tjera shqetësuese. Që nga viti 2014 ka pasur gjashtë sulme terroriste vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara, duke vrarë 74 vetë, sipas hulumtimit të “New America”.
Ato sulme u kryen nga qytetarë amerikanë dhe banorë të përhershëm ligjorë, jo nga terroristët e huaj siç ishte rasti 16 vjet më parë, më 11 shtator.
Këta terroristë amerikanë u frymëzuan nga propaganda e ISIS-it në internet, por nuk kishin kontakt të drejtpërdrejtë me grupin.
Terroristët xhihadistë në Shtetet e Bashkuara në ditët e sotshme po radikalizohen në numër mjaft të madh përmes internetit. Nga 129 militantët nga Shtetet e Bashkuara që u bashkuan me grupet terroriste xhihadiste në Irak dhe Siri, ose u përpoqën ta bënin këtë apo ndihmuan të tjerët për ta bërë këtë, 101 prej tyre shkarkuan dhe shpërndanë propagandën xhihadiste në internet dhe disa diskutime të drejtuara online me militantët e ISIS-it në Lindjen e Mesme, sipas hulumtimit të “New America”, transmeton zeri.info.
Eksperti izraelit kundër terrorizmit, Gabriel Weimann, me të drejtë thekson se “ujku i vetmuar” është tani pjesë e një pakete virtuale.
Në rastet e 129 militantëve të tërhequr nga konflikti sirian, asnjëri nuk duket se është rekrutuar personalisht nga operativë të tjerë militantë.
Ndalimi i përkohshëm i administratës së Trump për gjashtë vendet me shumicë myslimane nuk bën asgjë për të adresuar këtë kërcënim militant “vendas” që mundësohet nga propaganda xhihadiste në internet. Ndalesat e udhëtimit, natyrisht, nuk kanë ndikim në internet.
Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara nuk ka pasur sulme vdekjeprurëse në të cilat autorët janë trajnuar dhe janë drejtuar nga organizata të huaja terroriste që nga 11 shtatori 2001, ka pasur pesë sulme të drejtuara nga ISIS-i në Evropë që nga viti 2014 në të cilat u vranë 188 persona, rreth dyfishi i numrit të vdekjeve të të gjitha sulmeve vdekjeprurëse xhihadiste në Shtetet e Bashkuara që nga 11 shtatori 2001, transmeton zeri.info.
Ndërkohë, talebanët në Afganistan janë në pikën e tyre më të fortë që nga disfata e tyre nga forcat amerikane pak pas 11 shtatorit.
Format e tjera të dhunës politike në Shtetet e Bashkuara
Terrorizmi në Shtetet e Bashkuara nuk buron vetëm nga xhihadistët, të cilët kanë vrarë 95 vetë në Shtetet e Bashkuara që nga 11 shtatori.
Individët e motivuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë kanë vrarë 68 njerëz në Shtetet e Bashkuara gjatë të njëjtës periudhë, ndërsa individët e motivuar nga ideologjia e zezë nacionaliste kanë vrarë tetë njerëz, sipas hulumtimit të “New America”, transmeton zeri.info.
Drejtuesit e terrorizmit
Megjithëse ISIS-i është mposhtur në masë të madhe, kushtet që çuan në shfaqjen e grupit kryesisht mbeten, duke përfshirë luftën civile rajonale në Lindjen e Mesme midis sunitëve dhe shiitëve që kanë pllakosur Irakun, Sirinë dhe Jemenin; kolapsi i qeverisjes arabe rreth rajonit; rënia e ekonomive në shtetet myslimane të shkatërruara nga lufta dhe popullata e fryrë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Kjo ka shkaktuar një valë baticash të imigracionit mysliman në Evropë. Ata emigrantë po vijnë në vende ku myslimanët shpesh janë të margjinalizuar dhe kjo valë e emigracionit mysliman ka ndihmuar në nxitjen e rritjes së fundit të partive ultranacionaliste evropiane. Kjo është një kombinim me potencial shpërthyes, e cila mund të ndihmojë nxitjen e disa myslimanëve evropianë për t’u abonuar në parimet e xhihadizmit militant, transmeton zeri.info.
Këta drejtues të xhihadizmit sugjerojnë fuqishëm se një “binjak” i ISIS-it do të formohet në vitet e ardhshme. Edhe pse ISIS-i po pëson pengesa të përsëritura, dega e “Al Qaeda”-s në Siri ka treguar një elasticitet të habitshëm dhe është e mundur që një version i cunguar i ISIS-it mund të bashkohet me “Al Qaeda”-n në Siri. Të dy grupet u ndanë nga njëri-tjetri në vitin 2014.
Grupi bazë i “Al Qaeda”-s po ashtu duket se është duke e trajnuar Hamza bin Ladenin, një nga bijtë e Osama bin Ladenit, si një udhëheqës i brezit të ardhshëm. Hamza bin Laden, i cili është në fundin e njëzetave të tij, është shfaqur në një numër të produksioneve mediale të “Al Qaeda”-s në vitet e fundit.
Qëndrueshmëria e vazhdueshme e “Al Qaeda”-s në Siri dhe fakti që drejtuesit e xhihadizmit global nuk po largohen, kjo sugjeron se lufta e gjatë që filloi më 11 shtator më shumë se një dekadë e gjysmë më parë ka mbetur e heshtur për shumë vjet para se më në fund të shpërthejë. CNN
1- Ngjarja terroriste që tronditi botën
Ishte ora 08:46 e 11 shtatorit të vitit 2001, momenti i sulmit të parë në Kullat Binjake. Dy aeroplanë sulmuan dhe shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë. Fillimisht ishin dy avionë që u përplasën me kullat binjake të “World Trade Center” në Nju-Jork, një tjetër me Pentagonin në Uashington dhe i katërti u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë, pranë Shanksvilleen. Pasojat, siç do të saktësoheshin më vonë, ishin të rënda 2977 viktima, shtetas amerikanë me origjinë nga 70 vende të botës e dëme të konsiderueshme ekonomike. Ngjarja terroriste tronditi botën. Drejtuesit e CIA-s u vunë në alarm me operativitet, ndërsa presidenti Bush në atë kohë në detyrë ndryshoi agjendën dhe rikthehet në krye të situatës në Shtëpinë e Bardhë. “Vrasësit kishin hyrë në tokën amerikane nga Evropa dhe ata ishin anëtarë të një grupi aleat të ‘Al-Qaeda’-s”- ishte konkluzioni i parë i drejtuesve të CIA-s. Pas daljes publike të presidentit Bush, kreu i CIA-s, Xhorxh Tenet, do të merrte “OK” për një plan të hartuar më parë. “Ne, tashmë, kishim në sirtarët tona planin për të ndjekur si ‘Al-Qaeda’-n dhe mbrojtësit e saj, talebanët, në Afganistan. Tani ne mund të fillonim ta zbatonim atë”- pohon Tenet në kujtimet e tij, transmeton zeri.info.
2- Qendra Botërore e Tregtisë në Nju-Jork kishte një status “ikonë” për terroristët edhe para 11 shtatorit. Në 26 shkurt 1993, një bombë e vendosur në një kamion të parkuar në parkingun nëntokësor të saj shpërtheu, duke vrarë gjashtë vetë dhe duke plagosur më shumë se 1000, thuhet në raportin e “9/11”. “Vënia e bombës sinjalizoi një sfidë të re prej terroristëve, një të tillë, ku zemërimi dhe ligësia e tyre nuk kishin kufij”, thuhet në raport. Ramzi Yousef, ekstremisti sunit që vendosi bombën, tha më vonë se kishte shpresuar të vriste 250 mijë njerëz./Zeri/