Një numër i policëve të Kosovës ka marrë lëndime trupore pasi janë sulmuar të mërkurën rreth orës 22:30 minuta nga një grup i serbëve në veri të Mitrovicës. Policia është sulmuar derisa po bastiste lokalet e Kryqit të Kuq të Serbisë, që ndodhen në rrugën “Lolla Ribar” afër Shkollës Teknike.
Shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar se shumë policë janë lënduar, ndërsa dy prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Ai ka thënë se në aksionin e Policisë së Kosovës nga Prishtina, në të cilin merrnin pjesë edhe zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale në veri, nuk ka pasur pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës ROSU.
Njoftimet e medieve në Beograd për pjesëmarrjen e specialëve kosovarë në këtë aksion mbase kanë qenë edhe shkaku kryesor që ka nxitur serbët ta sulmojnë Policinë e Kosovës. Bojiq ka demantuar mediet në Beograd, të cilat kanë shkruar se në aksionin e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës marrin pjesë edhe Njësia Speciale ROSU. /Zeri./