President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, i shoqëruar nga Zonja e Parë e shtetit, Lumnije Thaçi, është nisur sot për në New York, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas një njoftimi të Presidencës, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës do të priten nga çifti presidencial Trump.
Gjatë vizitës, pritet që Presidenti Thaçi të ketë një takim të shkurtër me Presidentin Trump.
“Gjatë vizitës pesëditore në New York, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare”.
“Presidenti Thaçi, gjithashtu, do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini”.
“Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli”, thuhet në njoftimin e Presidencës.