I akuzuari Demë Shehu është i bindur se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj nuk janë dorëzuar pasi duke njohur ata personalisht, e di se ata nuk e kanë pasur praktikë në asnjë luftë ku kanë marrë pjesë që të dorëzohen.
Shehu i cilësoi dy liderët e ndjerë të grupit si heronj dhe kërkoi që askush të mos i akuzojë ata se e kanë marrë dikë në qafë.
Ai është i sigurt se para se të hynte grupi në Maqedoni, Begu dhe Mirsadi i kishin pyetur secilin nga anëtarët nëse duan vërtetë të vijnë për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve, ose do të qëndrojnë në Kosovë dhe secili vullnetarisht kishte pranuar të përfshihet.
Gjatë fjalimit të tij përfundimtar, Shehu i tha gjykatës se grupi ishte zënë në pritë në lagje dhe kishte ndjenjën se po të mos ishte ai i zgjuar, i gjithë grupi do të ekzekutohej në gjumë nga njësitet speciale. Shehu mallkon veten që është dorëzuar duke marrë parasysh gjendjen në të cilën është tani.
“Më vjen keq që nuk nëjta me Begun dhe Mirsadin. Gjithë bota të çohet e të më thotë se Begu dhe Mirsadi janë dorëzuar unë nuk u besoj kurrë. Se ata kanë shkruar historinë. E atyre që na kanë çu atje në Lagje, u them vetëm dreçi qoftë me ju”, ka thënë Demë Shehu.
Shehu i kërkoi llogari prokurorisë edhe për akuzat për gjoja qëllime materiale dhe mohoi edhe gjithë akuzat se kanë ndonjë lidhje me qëllime politike. Tha se qëllimi kombëtar është shkaku i vetëm që i ka sjellë ata në Lagjen e Trimave.