Partitë opozitare në Kosovë kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një Ekipi të Unitetit, për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 31 gusht, pas takimit të fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëpërmjet një deklarate për medie pati thënë se “pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në pjesën finale, përmbyllëse, historike të shtet-ndërtimit”.
“Për këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të spektrit politik kosovar dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe opinion-bërësve”, pati thënë presidenti Thaçi.
Por, Shpëtim Kamberi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet e reja me Serbinë nuk do të duhej të nisnin pa hetimin dhe vlerësimin e dialogut të deritashëm.
“Lëvizja Vetëvendosje mendon që nuk mund të ketë bisedime të reja me Serbinë në Bruksel, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e krijon një komision për të shqyrtuar se si është bërë dialogu deri më tani. Kjo, sepse ka qenë një dialog, së pari jotransparent, i cili e ka anashkaluar në vazhdimësi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është parakushti i parë që duhet të ndodhë në Kosovë. E dyta, mendojmë që dialogu duhet të ridefinohet, nga e para dhe nuk duhet të ndryshojë vetëm në përbërje, por duhet të ndryshojë edhe korniza dhe premisat e këtij dialogu”, thekson Kamberi.
Lidhja Demokratike e Kosovës, parti po ashtu opozitare në Kuvendin e Kosovës, ende nuk e ka shqyrtuar mundësinë nëse do të jetë pjesë e një Ekipi të Unitetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, për të cilën ka folur presidenti Thaçi. Nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vendimet për nivelin e përfaqësimit politik në dialog me Serbinë, duhet t’i marrë Kuvendi i Kosovës.
“Unë e di që është bërë një paralajmërim apo një ftesë publike. Mirëpo, çështja është se unë nuk besoj që presidenti i shtetit, në këtë rast Hashim Thaçi, ka pasur të drejtën që të bisedojë me Serbinë pa një autorizim, në radhë të parë nga Kuvendi i Kosovës”.
“Sigurisht që ka qenë ajo koha kur nuk ishin të formuara institucionet. Kështu që tash, me formimin e institucioneve të reja dhe të Qeverisë, unë mendoj që këtë barrë dhe këtë proces duhet ta marrë përsipër Qeveria e Kosovës me autorizimin e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, asnjëherë nuk përjashtohet mundësia që në këto procese të jetë i involvuar edhe vetë presidenti, gjë që është krejt normale”, shprehet Rugova.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje hedh poshtë mundësinë që ajo të jetë pjesë e një Ekipi të Unitetit eventual të Kosovës në dialogun me Serbinë, në qoftë se kornizat e përfaqësimit të Kosovës do t’i bënte presidenti i Hashim Thaçi.
“Nëse dialogu merr parakushte të theksuara, siç është parimi i reciprocitetit, nëse i ndryshohen kornizat këtij dialogu, atëherë ne mund ta shqyrtojmë çështjen e pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në një dialog të tillë hipotetik. Por, pa pasur hetim paraprak dhe pa ndryshuar korniza e dialogut, si dhe aq më pak një dialog i cili kornizohet nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë fare pjesë në këso dialogësh, të cilët vetëm sa do ta degradojnë më shumë dhe do ta përfshijnë Serbinë edhe më tepër brenda Kosovës”, potencon Kamberi.
Rugova thekson se lidhur me pjesëmarrjen eventuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës në një Ekip Uniteti të mundshëm nuk ka ende qëndrim të prerë. Por, ai nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes, për shkak se, sipas tij, kjo parti nuk do të përjashtohet nga proceset, të cilat konsideron se janë në interes të shtetit të Kosovës.
“Ne ende nuk kemi asnjë ftesë. Çdo ftesë që vjen prej kujtdo qoftë, qoftë prej Qeverisë, prej presidentit, prej Kuvendit të Kosovës, ajo do të shqyrtohet në organet e partisë, përkatësisht në organin më të lartë, në këtë rast në Kryesinë e partisë dhe në Këshillin e përgjithshëm”.
“Unë nuk do ta marr përgjegjësinë që të paragjykoj tash se cilat janë ato modalitete të bisedimeve dhe cila është forma e bisedimeve, në mënyrë që ne të jemi të gatshëm ta japim një përgjigje”, sqaron Rugova.
Në takimin e fundit në Bruksel, më 31 gusht, ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit serb, Vuçiq, është arritur pajtimi për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian./REL