Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK është shumë e shqetësuar me gjendjen e krijuar në QKUK pas rasteve të 4 vdekjeve të dyshimta.
Karta e të Drejtave të Pacientëve u garanton secilit qytetarë sigurinë në institucionet shëndetësore dhe institucionet janë të obliguara të garantojnë këtë.
Kjo e drejtë është shkelur dhe si pasojë kemi humbje jete të pacientëve dhe dëmtim të shëndetit të shumë pacientëve të tjerë.
Kjo tragjedi që ndodhi dhe po ndodhë, vuri në pah edhe një çështje tjetër, që institucionet tona pacientëve janë duke ju ofruar barna të kontrabanduara nga institucione të pa licencuara. Edhe nëse nuk ka një lidhje kauzale në mes të gazit dhe vdekjeve të pacientëve, është mjaftueshme që institucionet kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale me kompani të pa licencuara.
Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të pacientëve dhe të përmirësimit të imazhit të QKUK-së dhe jo vetëm asaj, ne si shoqatë kërkojmë që:
1. Ministri i Shëndetësisë të pezulloj personat përgjegjës për kontraktimin e këtyre barnave dhe produkteve mjekësore deri në sqarimin e tyre.
2. Prokuroria e Shtetit në një afat sa më të shpejtë të përfundojë hetimet lidhur me rastin.
3. Të gjithë deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës të angazhohen për thirrjen e një interpelance për tu diskutuar vdekjet serike të pacientëve në Spitalet tona.
“Mos të harrojmë, një helmim masiv i pacientëve në një institucion shëndetësorë në shtetet e avancuara do të duhej që e gjithë qeveria të jepte dorëheqje. Presim që kërkesat tona të merren seriozisht nga Ministri i Shëndetësisë, Prokuroria e Shtetit dhe Deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kjo do të ishte një satisfaksion moral për familjarët e pacientëve të vdekur. Deklaratave populiste të deritanishme se shëndetësia do të jetë prioritet duhet t`i shtohen edhe veprimet konkrete. Në të kundërtën , edhe sa viktima duhet të pësojnë që të kuptohet se shëndetësia ka nevojë për ndihmë!”, thuhet në njoftimin e PRAK.